Kokëdhima shpërthen ndaj Karlo Bolinos: Spekulant e mashtrues që shpërndan intriga

redaktor

Në përfundim të zgjedhjeve për kreun e ri të degës së PS-së në Vlorë, ku fitoi kandidati Anduel Tahiraj, deputeti i PS-së dhe koordinatori i qarkut Vlorë-Gjirokastër, Koço Kokëdhima, sulmoi edhe botuesin e Shqiptarja.com dhe Report Tv, Karlo Bolinon, dikur ish-ortak i tij.

Kokëdhima e cilësoi Bolinon si një spekulant dhe mashtrues. Sulmi i Kokëdhimës erdhi pasi mediat e Bolinos akuzonin kandidatin e Himarës, Ilir Gjicali, se është person me precedent penal dhe se mbështetet edhe nga Kokëdhima.

“Jam informuar mbrëmë për një publikim që bënë mbrëmë mediat e Bolinos, ku e paraqesin Ilir Gjicalin si njeriun tim, si të përzgjedhurin tim dhe si njeriun që është mbrojtur me zjarr dhe me këmbëngulje nga unë në kryesinë e PS-së së Shqipërisë.

Së pari, dëshiroj të them se Bolino është një gazetar perëndimor, ka përvojë punë në “Ansa” dhe ndoshta edhe në gazeta të tjera në tregun e shtypit italian dhe e di mjaft mirë se të shpërndash intriga, spekulime dhe mashtrime është një mëkat jo i vogël për njerëzit që bëjnë media.

Fakti që Bolino, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, merret me intriga dhe shpërndan informacione tërësisht të pavërteta, tregon se ai është i motivuar në interesa për t’u përfshirë në këto intriga dhe shpifje. Gjicali si qytetar është i imi aq sa është i Nishanit, sa është i Ramës, sa është i Metës, aq sa është i Berishës, aq sa është i çdo shqiptari tjetër.

Si socialist, Gjicali është i imi aq sa është i Ramës, sa është i Ruçit, sa është i çdo socialisti dhe drejtuesi të PS-së tjetër. Ai ka qenë aktivist i PS-së përpara se sa unë të vija në PS dhe në politikë”, tha Kokëdhima.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *