Finiqi si i tillë, pati fatin të ishte më tepër një punë e emrave shqiptarë të Arkeologjisë, si Dhimosten Budina në vitet `70, që do kulmonin në vitet `80 me zbulimin e teatrit gjigant, ku në krah të Budinës do të ishte dhe kolegu i tij Kosta Lako. Më pas, ekspeditat do pasoheshin nga të tjerë emra si Gjerak Karaiskaj, Neritan Ceka apo së fundi dhe Shpresa Gjongecaj së bashku me kolegun italian të Universitetit të Bolonjës, Sandro Di Maria.
Në Guidë është përfshirë kështu dhe një historik i shkurtër ekspeditave zbuluese në Finiq, ku në krye qëndron Ugolini, siç shkruan diku autori, “I shtyrë nga thënia e autorit më të lashtë grek Polybi, se Foinike, është qyteti më i fortifikuar dhe më i fuqishëm…..”
Guida e Finiqit me autor Halil Shabanin nuk është krijuar thjesht për informim të thjeshtëzuar, një e tillë ka ekzistuar sipas tij, realizuar nga një finiqiot; kjo guidë është një punë e mirëfilltë shkencore, pasi e ka ngërthyer Finiqin nga të gjitha anët në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha resurset. Pra, është një version i thelluar që jo vetëm të informon, por dhe të kulturon. Kjo duket qartazi që në kopertinë, ku është saktësuar se Guida përmban historinë dhe qytetërimin, themelimin, lulëzimin dhe rënien. Por po ashtu në brendësi të saj gjen dhe një informacion mbi pasuritë natyrore të Finiqit, pyjet, lumenjtë, burimet e tjera ujore, siç është dhe Syri i Kaltër. Sepse Finiqi nuk është i kufizuar vetëm në një vatër arkeologjike me pasuri monumentale të caktuar. Finiqi ka qenë një kryeqendër e Epirit me veçanti të spikatura dhe të pahasura në simotra të saj helene, në kontekstin e kohës kur u themelua dhe lulëzoi. Si tregues të së veçantës, autori rendit ato që i quan tregues unikal, si: organizimi i pushtetit qendror dhe vendor me udhëheqës që ndërroheshin njëherë në vit, pra një tregues i nivelit të lartë demokratik; të drejtat e gruas të barabarta me ato të burrit; apo murri i Demës, që sipas autorit është një produkt i rrallë mjeshtrave dhe arkitektëve foinikas.
Në guidë autori sjell risi informative që kanë të bëjnë me monedhat, enët karakteristike, muret romake, arkitekturën e vilave, treguesit e zejtarisë, së tregtisë, ndërtimet e Justinianit apo ndërtimet e Kultit, siç janë Manastiri i Mesopotamit apo kisha e Shën Nikollës, të cilat, siç shprehet autori janë të rralla si në sferën kombëtare e si në atë rajonale.
Një monument i rrallë është dhe teatri i Finiqit, të cilit është zbuluar skena, por jo shkallaret, që llogariten të jenë nën një shtresë të madhe dheu. Ky teatër që flitet të ketë pasur një kapacitet prej 18 mijë vendesh, konsiderohet si ndër më të mëdhenjtë e botës antike. Nëse do zbulohej tërësisht, i gjithë Parku Arkeologjik i Finiqit do merrte një tjetër përmasë si një pasuri e rrallë kombëtare e botës antike. Pasi duhet theksuar se Finiqi ka të vizitueshme deri më tani vetëm 5 monumente, ndërkohë që bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra me funksione e cilësi unike.
Në guidë autori ka hartuar dhe një kalendar të ngjarjeve më të spikatura të Finiqit, që nga themelimi në shekullin V p. Krishtit; të bërit kryeqytet të Lidhjes Epiriote në vitin 232 p.Krishtit; pushtimin nga ushtritë ilire të mbretëreshës Teutë në vitin 230 p.Krishtit; pushtimin nga ushtritë romake të Pavel Emilit në vitin 267n p. Krishtit; nënshkrimi në Finiq i Traktatit të Paqes mes Romës dhe Filipit të Maqedonisë në vitin 205 p. Krishtit, etj.
Për autorin, Finiqi është një pasuri e jashtëzakonshme e trashëgimisë antike. Dhe guida e tregon më së miri këtë. Nga kjo guidë, çdokush që do e kalojë ndër duar, patjetër do ketë një ngacmim të përligjur atdhetar, por halli është se në terren gjërat nuk shkojnë si duhet.
Siç u cek më sipër, janë vetëm 5 monumente të vizitueshme në të gjithë hapësirën e Parkut Arkeologjik, ndërkohë që puna kërkimore, nga fragmentare për arsye fondesh, është ndalur fare, po për arsye fondesh. Sakaq, verën e kaluar, kodra e Finiqit u përfshi nga zjarret të cilat përzhitën dhe bimësinë afër vatrave të punës kërkuese e zbuluese, duke mos qenë në asnjë lloj mbrojtjeje shtetërore.
Por guida gjithsesi është një punë e mirë dhe plotësuese e shumë mangësive në terren. Ajo e shpërfaq Finiqin të plotë, pa mangësira, duke evidentuar e pasqyruar gjithçka. Me një guidë të tillë, një endje nëpër gjithë hapësirën e parkut, do ishte një përvojë e mrekullueshme, duke imagjinuar një endje në antikitet, në konturet e një bote të perënduar tashmë. Autori nuk lë pa vlerësuar rëndësinë e këtij Parku Arkeologjik si një stacion të rëndësishëm të turizmit arkeologjik, që ende nuk plotëson të gjithë parametrat, por që nëse do ekzistonte interesi i duhur për ta rivitalizuar plotësisht, do përbënte një shans të madh në këtë fushë. Faqe pas faqeje, guida ta thotë dhe këtë.
