Partia Demokracia Sociale firmosi në mbrëmje marrëveshjen me Partinë Socialiste, për të hyrë në zgjedhje si pjesë e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Në një dalje për mediat, kryetari i PS-së Edi Rama vlerësoi bashkëpunimin me PDS-në, duke nënvizuar lehtësinë e arritjes së kësaj marrëveshjeje.
“Duke përfituar nga rasti unë dëshiroj të shpreh konsideratën tonë më të lartë për Partinë Demokracia Sociale dhe sigurisht për anëtarët e kryetarin e partisë Paskal Milon. Një mik, një koleg një bashkëpunëtor i orëve të vështira me të cilin jemi të vendosur për të çuar përpara përpjekjen për zgjedhje të lira e të ndershme. Doja të vë theksin tek lehtësia me të cilën jemi marrë vesh. Të shfrytëzojmë këto 60 dite të mbetura për të materializuar fitoren e madhe.”- deklaroi Rama.
Milo: Marrëveshja, më e mira e mundshme
Kreu i PDS-se Paskal Milo e cilësoi marrëveshjen me PS-në si më të mirën e mundshme. Ai u shpreh i bindur se koalicioni opozitar do të sigurojë fitore në zgjedhjet e 23 qershorit.
“Kemi rënë dakord me PS për termat e bashkëpunimit zgjedhor dhe postzgjedhor. Eshtë një marrëveshje më e mira e mundshme në rrethanat në të cilat ndodhemi. PDS tashmë përfundimisht me këtë deklaratë që unë bëj në emër të saj rreshtohet përkrah PS-së në koalicionin e madh opozitar, i cili padyshim do të jetë koalicioni i fitores më 23 qershor. Kjo marrëveshje garanton në përfundim të zgjedhjeve edhe pjesëmarrjen dinjitoze të PDS në qeverisjen e ardhshme, në përputhje me kontributin që ajo do të japë në procesin zgjedhor.”- u shpreh Milo.

Do te ishte e mira qe Prof. Paskal Milo pas fitores se zgjedhjeve nga Opozita e Bashkaur te merrte drejtimin e Akademise se Shkencave Albanologjike. (Shkrirja e Kryesise se Akademise inekzistente te Shkencave dhe Qendres se Studimeve Albanologjike).