Është një skenë e zakonshme në klasat e mësimit: mësuesi kthen shpinën për një çast dhe nxënësit fillojnë të shkëmbejnë pyetjet e provimit me personin që kanë ngjitur, edhe nëse nuk janë miq të afërt.
Kërkuesit nga Kanadaja dhe Kina thonë se kjo lloj sjelljeje është një fenomen i përhapur në shumë raste të ndryshme, pasi njerëzit bëjnë hile për të tjerët brenda rrethit të tyre miqësor në kurriz të një pale të tretë.
Skuadra tha se në ato rrethana, besnikëria e një personi ndaj grupit mund t’i tejkalojë moralet e tyre dhe t’i lejojë ata të shihen si “heronj” të bashkëmoshatarëve.
Në studim, skuadra e Universitetit Guelph, Universitetit Ryerson dhe Universitetit të Shangait, rekrutuan 900 studentë nga dy universitete në Kinë dhe analizuan sjelljen e tyre në detyrat e alokimit të parave.
Njerëzit në secilin prej këtyre grupeve sociale mund ta njohin njëri-tjetrin, por nuk mund të konsiderohen miq, shpjeguan kërkuesit.
Pjesëmarrësit e studimit u ndanë në dy grupe.
Ata që alokonin para morën në dorë rreth 50 juan ose 8 dollarë dhe iu kërkua ta ndanin atë mes dy studentëve.
Një nga këta marrës ishte student i të njëjtit universitet, ndërsa tjetri ishte një “i jashtëm”, një student nga një universitet i ndryshëm.
Për të përcaktuar se sa para do t’i jepnin secilit person, studentët u lejuan të zgjidhnin nga një listë prej gjashtë mundësish ose të zgjidhnin një opsion bazuar në rastësi.
Mundësitë e alokimit nuk i lejonin studentët të ndanin paratë në mënyrë të barabartë; atyre iu dha vetëm mundësia të zgjidhnin një sasi nga 0 deri në 50 juanë, në shumëfish të dhjetës.
Në shumicën e rasteve, kërkuesit zbuluan se alokatorët kishin më tepër gjasa t’u jepnin studentëve nga universiteti i tyre më tepër para.
“Hiletë ndodhin gjithë kohës, pavarësisht kur janë në mashtrim të qëllimtë apo kur perceptohen si të padëmshme”, tha profesori i Ryerson, Fei Song, një nga bashkautorët e studimit.
“Studimi ynë tregon se ndonjëherë, njerëzit bëjnë hile për t’i ndihmuar të tjerët me të cilët kanë një lidhje në kurriz të palëve të tjera që janë më të largët nga ana shoqërore nga personi që bën hilenë”.
Më shumë se 70 për qind e studentëve që kishin zgjedhur lirshëm, u zbulua se u jepnin studentëve nga universiteti i tyre më tepër para.
Rreth dy e treta e këtyre studentëve i dhanë 30 juanë personit me të cilin shkonin në të njëjtin universitet, ndërsa i jepnin 20 juanë një të huaji.
Në grupin tjetër, skuadra zbuloi se studentët që i bazonin vendimet e tyre në rastësi kishte më tepër gjasa të bënin hile. Gjashtëdhjetë për qind e këtyre studentëve zgjodhën mundësi që favorizonin marrësin, pavarësisht numrit në të cilin i ra zari gjatë procesit të rastësisë.
Në përgjithësi, këta studentë i dhanë 28 juanë studentëve nga universiteti i tyre.
“Një hile e tillë është me gjasa shumë e përhapur”, tha profesor Bram Cadbsy nga departamenti i Ekonomiksit dhe Financës në Universitetin Guelph, një nga bashkautorët e studimit.
“Studentët ua japin detyrat e tyre të shtëpisë shokëve të klasës për t’i kopjuar, anëtarët e organizatave gënjejnë rreth sjelljes së keqe të kolegëve të tyre për t’i shpëtuar ata nga ndëshkimi, juria e një konkurrimi bën hile për t’i dhënë vendit të vet më tepër pikë dhe kompanitë punësojnë të afërm më pak të kualifikuar krahasuar me punonjësit e tjerë.
“Studimi ynë ekzaminon studentët nga universitete shumë të ngjashme dhe me bagazh të përafërt. Bërja e hileve për të tjerët ka më tepër gjasa kur grupi i një personi është në një marrëdhënie konkurrimi apo armiqësie me grupin tjetër.
“Besnikëria do të kalojë shpesh parimet abstrakte të etikës dhe një besnik që bën me hile, shpesh vlerësohet si një hero”.
Përse hileqarët nuk heqin dorë
Kërkuesit nga Universiteti Veriperëndimor dhe Universiteti i Harvardit zbuluan se njerëzit që përfshihen në sjellje joetike kanë më pak gjasa të kujtojnë mirë veprimet e tyre. Krahasuar me kujtimet e sjelljeve etike apo atyre që kishin natyrë kryesisht pozitive ose negative, detajet e aktiviteteve joetike ishin më të vështira për t’u kujtuar dhe mund të harroheshin plotësisht.
Dhe kërkuesit thonë se kjo mund të shpjegojë përse njerëzit vazhdimisht marrin vendime joetike.
Ata që nuk mund të kujtojnë veprimet e tyre joetike kanë më pak gjasa të përsërisin këtë lloj sjelljeje në të ardhmen. “Amnezia joetike” mund të jetë një mënyrë që njerëzit të ruajnë imazhin pozitiv të vetes teksa e distancojnë veten nga kjo sjellje me kalimin e kohës.
Ndërsa pjesëmarrësit kishin probleme me kujtimin e zgjedhjeve të tyre joetike, ata ishin gjithashtu në gjendje të kujtonin gabimet e të tjerëve me detaje.
