Fotografia e një foshnje të mbytur, emigrante, në krahët e një roje bregdetare gjermane, është shpërndarë të hënën nga një organizatë humanitare, që ka për synim të bindë Europën që të garantojnë një rrugë shpëtimi për emigrantët, pasi qindra prej tyre janë mbytur në Mesdhe, shkruan Reuters.
Foshnja, që duket se nuk është më shumë se një vjeç, u nxor nga deti të premten pas përmbysjes së një barke druri. Dyzet e pesë trupa mbërritën në portin Italian të Reggio Calabria të dielën mbi një anije të marinës italiane, që nxori vetëm 135 të mbijetuar nga ai incident.
Organizata humanitare gjermane Sea Watch, që vepron me një barkë shpëtimi në det ndërmjet Libisë dhe Italisë, e publikoi fotografinë e marrë nga një kompani mediatike dhe që tregon shpëtuesin duke e përkundur foshnjen sikur të ishte duke fjetur.
Në një e-mail, shpëtuesi, që dha emrin Martin, por që nuk donte që emri t’i publikohej, tha se ai e kishte parë fëmijën mbi ujë “si një kukull, me krahë të hapura”.
“I kapa parakrahun foshnjes dhe e tërhoqa trupin e brishtë, duke e mbajtur në krahë sikur të ishte akoma gjallë… Ai shtrinte krahët me gishtat e vegjël në ajër, dielli i shndriste përsipër, miqësisht, por sytë ishin të palëvizshëm.”
Shpëtimtari, baba i tre fëmijëve, me profesion një therapist muzike, shtoi:
“Unë fillova të këndoj që të qetësoj veten dhe t’i jap një lloj kuptimi këtij momenti kaq të rëndë, kaq zemërthyes… Vetëm 6 orë më parë, ajo fëmijë ishte gjallë.”


Foto shume e dhimbshme.Edhe humane.Dhimbja dhe dashuria nuk njeh kufi gjeografike,kombesh.Ajo buron nga zemra njerezore.