Një gjykatës federal publikoi rreth 400 faqe dokumente që japin hollësi se si punonjësit e Universitetit Trump kanë përdorur praktika agresive për t’i bindur klientët të regjistroheshin për seminare të shtrenjta për të mësuar rreth biznesit të pasurive të patundshme.
Dokumentet për biznesin tashmë të falimentuar në pronësi të kandidatit republikan për president, Donald Trump, përfshijnë informacione lidhur me mënyrën se si instruktorët ishin udhëzuar të mashtronin qëllimisht klientët e mundshëm, të manipulonin emocionet e tyre dhe të minimizonin shqetësimet. Publikimi është pjesë e një padie nga konsumatorët që thonë se janë mashtruar.
Në një konferencë shtypi në “Trump Tower” në Nju-Jork, zoti Trump vazhdoi sulmet ndaj gjykatësit federal, Gonzalo Curiel, i cili bëri publike dokumentet. “Ai ka qenë një gjyqtar shumë i keq … shumë, shumë i padrejtë”, tha Trump. Ai vazhdon të thotë se klientët e tij kanë qënë shumë të kënaqur me seminaret – një argument që avokatët e tij e kanë përsëritur pasi u publikuan dokumentet. Ato përfshijnë dëshmi nga një numër klientësh të kënaqur me seminaret.
Universiteti Trump përballet me disa sfida ligjore. Ai u bë objekt kontrollesh nga Departamenti i Arsimit në Nju-Jork para se të mbyllej në vitin 2011. Por Trump ka përsëritur pafajësinë e tij duke publikuar referenca nga studentët që i vlerësojnë seminaret. Ai tha se nuk do ta mbyllë çështjen pasi ajo do të vendoset në gjyq.
