Synohet që Kosova të ulë varësinë nga Serbia edhe në tregun e hidrokarbureve, fjala e ministrit Gjiknuri

Elton Tafaruci

Shqipëria e Kosova synojnë uljen e varësisë nga burimet tradicionale të furnizimit jo vetëm në fushën e energjisë por dhe në tregun e hidrokarbureve.

Ministri i  Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, foli dhe për mundësinë e bashkëpunimit në tregun e karburanteve me qëllim që  Shqipëria dhe Kosova ta ulin varësinë nga vendet e tjera.

“Ka mundësi, sidomos Kosova që të ulë importet nga Serbia dhe kjo do të jetë një kontribut tjetër për qytetarët e dy vendeve dhe për sigurinë energjitike” tha Gjiknuri.

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, 3 Qershor 2016

Të nderuar Kryeministra,

Të nderuar kolegë,

Në fakt, ajo që u tha pak më parë është një nga projektet e rëndësishme që ne kemi filluar në atë rrugëtimin që në themel ka forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kur flasim për ekonominë, alfa dhe omega është patjetër siguria dhe bashkëpunimi në fushën energjitike. Jam i kënaqur që hapa konkret janë hedhur, edhe prezantimi i projektit të fundit është shumë i rëndësishëm dhe është i mundshëm.

Mund të duket pak si demagogji por është plotësisht i mundshëm, për shkak të mundësisë që ka Kosova me burimet e saj të linjitit dhe interesit të shprehur tashmë edhe të partnerëve privat, për tu bërë pjesë e këtij projekti të përbashkët energjitik. Këta janë hapa konkret. Sëbashku me linjën e interkonjeksionit që shumë shpejt do jetë në funksion, apo edhe me faktin se Shqipëria dhe Kosova po aplikojnë si një vend i vetëm në Bashkimin Evropian për projektet e fushës së gazit. Janë projekte të pranuara nga BE si projekte prioritare dhe kjo do të hapë mundësinë që jo vetëm Shqipëria të kthehet në një nyje të rëndësishme energjitike por diversifikimi i Kosovës me gaz do të hapë mundësinë e krijimit të unazës energjitike ku ajo do të bashkëpunojë edhe me Serbinë. Kjo do ti japë rajonit një siguri më të madhe energjitike dhe do të ulë varësinë nga burimet tradicionale të furnizimit. Kjo do të kontribuojë që të ketë një siguri më të madhe energjitike për Ballkanin dhe do të kontribuojë edhe në paqen e stabilitetin sepse gjërat janë të lidhura.

Në fund të fundit, shikoj edhe fusha të tjera bashkëpunimi. Sëfundi, kemi identifikuar edhe një fushë tjetër që ka ardhur natyrshëm nga sektori privat, siç është rasti i tregtisë së hidrokarbureve ku autoritetet kosovare të mbikëqyrjes kanë kërkuar bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Teknik të Shqipërisë. Ky i fundit është i çertifikuar dhe ne kemi mundësi që edhe këtë produkt që është tregtia e karburanteve, Shqipëria dhe Kosova ta ulin varësinë nga vendet e tjera. Ka mundësi, sidomos Kosova që të ulë importet nga Serbia dhe kjo do të jetë një kontribut tjetër për qytetarët e dy vendeve dhe për sigurinë energjitike.

Sëfundi dua të them se janë hapa konkrete dhe nuk po thuhen vetëm fjalë. Hapa për të shkruar historinë e përbashkët që fillon me vepra konkrete dhe ne po i bëjmë të tilla.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *