Samiti i NATO-s në Varshavë, Polonia rekruton plot 35 mijë paraushtarakë

Elton Tafaruci

Që prej shtatorit të këtij viti, Polonia do të nisë të rekrutojë plot 35 mijë paraushtarakë për të formuar një forcë mbrojtëse për shkak të tensioneve me Rusinë. Lajmi është bërë i ditur nga vet ministri i Mbrojtjes, Antoni Maciereëicz, i cili theksoi se pozicionet drejtuese të “Forcës së Mbrojtjes Territoriale” tashmë janë përcaktuar.

Kjo forcë do të ketë vullnetarë civilë të trajnuar me aftësi sipas specifikave ushtarake, si dhe do të ketë për qëllim të zmbrapsë ndonjë betejë “hibride” të llojit krimean, që shkaktuan ndarjen e një territori ukrainas nga vendi dhe premtimit të besnikërisë ndaj Rusisë.

Veç përpjekjeve të Polonisë, edhe aleanca ushtarake atlantiko-veriore NATO do të japë kontributin e saj në përforcimin e vendit kufitar me Ukrainën.

Do të jetë pikërisht një batalion i NATO-s, që do të zhvendoset në Poloni, ndërsa 3 batalione të tjera do të vendosen në shtetet fqinje të Baltikut: Estoni, Letoni, Lituani. Numri i përgjithshëm i trupave që do të dërgohen në këto misione pritet të jetë rreth 4.000, të cilët do të alternohen me kalimin e kohës.

Detajet e dërgimit të këtyre batalioneve do të përfundohen pikërisht në Samitin e NATO-s, që do të zhvillohet në Varshavë më 8 dhe 9 korrik. Pas këtij samiti do të vendoset se cilat shtete anëtare të NATO-s do të dërgojnë trupa për të forcuar praninë ushtarake të aleancës në Lindje, pranë kufirit rus.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *