Trafiku i thirrjeve dhe mesazheve të shkruara nga rrjetet celulare ka pësuar një rënie të ndjeshme në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare, trafiku i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare ra me 15% krahasuar me tremujorine parë të vitit 2015.
Ndërkohë, numri i mesazheve të shkruara pësoi sërish një rënie, me afro 7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rënia e trafikut të thirrjeve dhe mesazheve nga celularët mund të reflektojë një lloj ngopjeje të individëve nga bisedat e gjata në telefon, fenomen ky i mundësuar nga paketat ofertë me bollëk të njësive të komunikimit.
Por, duket se një faktor shumë i rëndësishëm në rënien e trafikut nga rrjetet celulare janë aplikacionet e komunikimit që mbështeten te interneti me brez të gjerë. Aplikacionet, e ashtuquajtura “over the top”, si Viber apo Whatsapp janë bërë një instrument gjithnjë e më i përdorur komunikimi, falë përhapjes në rritje të telefonave smart dhe modernizimit të internetit drejt teknologjive 3G dhe 4G.
Këto aplikacione ofrojnë mundësi komunikimi me tekst, multimedia dhe me telefonata zanore, duke u bërë një zëvendësues optimal i komunikimit direkt nga rrjetet celulare, sidomos te më të rinjtë.
Zhvendosja drejt shërbimeve e bazuara te interneti tërthorazi dëshmohet edhe nga rritja e fortë e përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Për tremujorin e parë të vitit 2016, numri i përdoruesve të internetit broadband nga telefoni celular arriti në 1.27 milionë, 47% më shumë krahasuar me një vit më parë.
