Nga Nicholas Foulkes – Havana është destinacioni i momentit. Pak muaj më parë, Barack Obama, Rolling Stones, e madje edhe familja Kardashian kryen pelegrinazhet e tyre në kryeqytetin Kuban – bashkë me Karl Lagerfeld dhe ndjekësit e modës, të cilët morën pjesë në të parën shfaqje Amerikano-Latine të Chanel.
Dhe kështu ndodhi që, në zgjimin e një madhështie të tillë, unë e gjeta veten në ish-distriktin e country club një pasdite Maji të nxehtë e gjithë lagështirë, për të mbajtur një fjalim në verandën e El Laguito, një ndërtesë pompoze e fillim-shekullit të 20-të, e cila duket se nuk ka vendosur nëse do të jetë një “Petit Trianon” tropikale, apo një tortë dasme gjigande prej mermeri. El Laguito është Vatikani i puros, streha e fabrikës ku purot Cohiba prodhohen…
…Cohiba, zyrtarisht mund të ketë arritur të 50-at, por rrënjët e saj shkojnë thellë në të kaluarën, të paktën gjer në Tetorin e vitit 1492. Të lumtur nga suksesi i mposhtjes së Saraçenëve të Granadas në Andaluzi, Mbreti Ferdinand dhe e shoqja, Isabella morën përsipër të mbështesnin një marinar të ri Gjenovez të quajtur Kristofor Kolombi, në kërkimin e tij të një rruge perëndimore drejt pasurive të “Indive Lindore.” Ai u dërgua me instruksione për të arritur një marrëveshje për ndërtimin e minierave të arit dhe tregtisë së erëzave me mbretin e atjeshëm, menjëherë pas mbërritjes.
Por, në vend të kësaj ai arriti në një nga ishujt Bahamas, vend piktoresk me banorë të zhveshur, e ku nuk të zinte syri as flori dhe as erëza. Në ditarin e tij, Kolombi shkruante se “vendasit sollën fruta, shtiza druri dhe ca gjethe të thara me një aromë të veçantë.” Europianët hëngrën frutat, hodhën tej gjethet dhe pasi dëgjuan për një ishull më të madh, të quajtur Kolba, të cilin Kolombi e quajti mw pas Kuba, nisën sërish lundrimin. Sërish, ata gjetën fare pak ar, ca figurina të vogla, por Kolombi u shpërblye kur pa banorët e zonës, Tainos, të cilët ecnin duke mbajtur gjethe të dredhura në formë boriesh, që u digjeshin mes buzëve; të njëjta me ato, të cilat ekuipazhi i tij i kish flakur tutje në Bahamas. Rodrigo de Jerez, një nga marinarët Spanjollë të ekuipazhit besohet të jetë duhanpirësi i parë Europian; ai tha se gjethet dridheshin si letër në formë cilindrike dhe jepnin një tym kundërmues. Ata i quajtën këto bohçe hiri “tabacos” dhe gjetheve të duhanit iu referuan si “cohiba,” “cojiba,” ose “cohoba.”
Mëse 470 vite më pas, truproja i Fidel Castro-s nisi të ndante me vetë Komandantin, puro të prodhuara nga një burrë, i njohur si Eduardo Ribera; Kastro, thuhet se i pëlqeu aq shumë, saqë një kompani prodhimi private u krijua në 1966, shtatë vjet pas revolucionit Kuban, për të furnizuar ekskluzivisht Kastron dhe zyrtarë të tjerë të lartë me puro. Dhe, kur nevoja për të gjetur një emër pa konotacione imperialiste lindi, fjala e dikurshme e Taino-ve u ringjall, e u vendos sërish në përdorim…
…Cohiba origjinale, një puro e gjatë dhe elegante, e quajtur Lancero, me një gërshet të përdredhurduhani tek koka, u bazua në puron e tymosur nga truproja i Kastros. Vetë Kastro vendosi ta kthente puron në një ambasador të vendit, duke e dërguar shpesh si dhuratë diplomatike tek udhëheqës të tjerë botërorë.
Një gjysmë shekulli më pas, shumë gjëra kanë ndryshuar. Kastro, tashmë 89-vjeçar, nuk tymos më puro, ndërsa Cohiba njihet botërisht si një nga gjërat e mira që jeta mund të të ofrojë. (Ajo nisi të tregtohej vetëm në 1982-shin.) Ka një lloj ironie në faktin se, një shtet i themeluar mbi idealet e revolucionit socialist, tanimë prodhon një nga status-simbolet më të njohura në gjithë botën, por çdokush që e sheh Cohiba-n thejsht si një simbol luksi, nuk e ka kapur plotësisht thelbin. Veç të qenit puroja më e mirë që Kuba prodhon, Cohiba është gjithashtu edhe një objekt kulturor…
…Zakonisht, unë jam dyshues kur kompanitë zgjerohen, pasi rreziku i prishjes së cilësisë rritet. Por, Kuba është nga shumë anë, vendi i të papriturave; pavarësisht vështirësive ekonomike dhe trendit global për lënien e duhanit, Cohiba vazhdon të lulëzojë. Tani ajo prodhohet në një duzinë formash e përmasash, duke risjellë shpikje të tilla si riprezantimi i medio tiempo, një lloj gjetheje duhani e rrallë, e cila merret nga dy gjethet e sipërme të bimës, por që ishte zhdukur prej kohësh nga industria e prodhimit të purove në Kubë.
Cohiba mund të ketë nisur tashmë të prodhojë puro edhe për duhanpirësit më të zakonshëm, por nuk i ka braktisur aspak kufijtë e ekskluzivitetit. Në fakt, ajo ka arritur maja të reja, të cilat në 1966 dukeshin thjesht të paimagjinueshme. Në Mars të këtij viti, 50 kutitë e para, ku secila mban 50 puro Cohiba të prodhuara për 50-vjetorin, arritën shumën e më tepër se $350, 000 në ankand, çka do të thotë se një puro e vetme kushtoi më shumë se $7,000. E vetmja gjë për të ardhur keq, është se këto puro zorr se do të tymosen ndonjëherë, por do të mbeten thjesht objekte koleksioni.
Megjithatë, ndoshta kjo është diçka e mirë: Në një kohë ndryshimesh për ishullin, ato do të jetojnë përgjatë historisë si provë se revolucioni arriti të prodhonte një puro superiore ndaj atyre të krijuara gjatë periudhës së diktatorëve dhe imperialistëve. Ndoshta, kjo është një trashëgimi më e mirë se të përfundosh i tymosur. / Me shkurtime nga “Newsweek”

Prodhimi socialist eshte cilesor,sipse eshte pa hile.Po te ishte Kuba kapitalizem,per hir te fitimit,COHITO do te mbushnin tregun me gjethe prasi,plepi,rrapi,trapi.