I treti, i tepërt apo i domosdoshëm?!

redaktor

 

Nga Bedri Islami

Sot, e hënë, në Tiranë do të takohen shefi i qeverisë dhe shefi i opozitës. Asgjë e jashtëzakonshme për këdo në botë dhe çudi në politikën shqiptare, ku hasmëria është bërë epiteti më i afërt i politikës. Takime të tilla ka pasur edhe në të shkuarën dhe askush nuk duhet të jetë entuziast nga ajo që ka ndodhur dhe që mund të përsëritet edhe sot. Shpesh herë takimet e nivelit të lartë partiak kanë qenë shfaqje mediatike, pas së cilave, ose kanë ardhur pazare që kanë dërmuar gjithçka që është arritur, ose pas tyre kanë qëndruar përfitime të mëdha financiare, pasi torta e ndarjes së pushtetit ka qenë njëkohësisht edhe torta e ndarjes së botës së financës. Që nga takimi i përfolur i Triestes e deri më sot, të gjitha takimet e këtij niveli, ndoshta pa asnjë përjashtim, kanë qenë vazhdimi i zezonës së hasmërisë dhe, sado të jesh optimist, mënyra se si dy liderët po shkojnë në këtë takim, të humb një pjesë të madhe të besimit.

Le të shpresojmë se do të ketë një risi politike. Problemi do të jetë i vështirë për një fillesë të mbarë, por, gjithësesi, edhe ata më agresivët, e duan një fillesë mbarësie dhe presin ndoshta zbutjen e kësaj klime politike, mbushur me britma, hajdutë, sharje, kërcënime, haluçinacione, përsëri kërcënime, shantazhe me video dhe me foto; blerje dhe shitje, të armatosur nga të dyja palët që kurrë nuk u bënë një për të mirën e këtij vendi.

Në takimin Rama- Basha do të mungojë faktori i tretë politik në Shqipëri, Meta dhe kjo nuk është e papritur. Shpesh herë në takimet e zhvilluara mes “të mëdhenjve” është harruar i treti, ose më saktë, gjithçka është bërë për të shuar këtë të tretë, i cili, herë-herë del se është i domosdoshëm, dhe herë-herë del se është i tepërt. Është i domosdoshëm kur formohen qeveri dhe koalicione zgjedhere që të çojnë drejt pushtetit, është i tepërt kur duan ta heqin qafe. Kjo ka ndodhur në vitin 2002, kur dyshja e asaj kohe, Nano-Berisha, gjithçka që bënë e kishin në dërmimin e forcës politike të përfaqësuar nga zoti Meta; këtë e bëri dyshja Berisha-Rama, kur ndryshuan fatalisht Kushtetutën e vendit, për të zënë çdo hapësirë për këtë forcë të tretë politike, këtë mund ta bëjë tani edhe dyshja Rama-Basha, për të ngushtuar sa të jetë e mundur rrugën për një forcë të tretë politike.

Prej disa kohësh në media dhe njerëz të afërt, si në kahun e LSI , si në kahun e PS-së, ndoshta si matës pulsi e ndoshta si diversion, janë hedhur teza e dyshime për një çarje në koalicionin qeverisës dhe në mundësinë e prishjes së tij. Shumë kohë me rradhë, jo rastësisht, shqupasit luajtën me tensionimin e koalicionit qeverisës, duke hedhur në tregun e ideve ndryshimin që mund të kishte mes dy forcave politike, dhe krijimin e një ure të mundshme me integruesit socialistë. Nga ana tjetër, rilindasit, jo vetëm përmes Kokëdhimës, por edhe në diskurset e të tjerëve, të keqen që po i ndodhte herë pas here, më shumë se tek vetja e gjetën tek përfasëuesit e forcën bashkëqeverisëse, duke e ndarë qeverisjen në të mirët rilindas dhe të problematikët integrues. Rastet e shfaqura në jugun e vendit dhe, njëkohësisht me të në rastin shukrian, më shumë se tek një qasje e gabuar ndaj përzgjedhjes politike e administrative, rilindasit e Ramës e adresuan tek kolegët e tyre. Berisha, si njeriu i kartës politike të shqupasve, risolli edhe një herë idenë se me Metën mund të punohet, pavarësisht se ky i fundit i kishte “tradhtuar” në vitin 2013, dhe zërat e tjerë heshtën, deri sa erdhi kokëkrisja e Bashës se “as me Ramën e as me Metën” që të kujtonte një thënie të hershme të kohës së shkuar, “as lindje e as perëndim”.

A mund të jetë takimi i sotëm jo një fillesë e reformës në drejtësi, por nisja e një loje të re në skakierën e zymtë të politikës shqiptare? A është e mundur që lëshimet që bën shefi i qeverisë, dhe këto i bën pa pyetur askënd, sikur të ishte Shqipëria malli i tij, si ai i dy të tretave të votave, lëshimet në një nen të famshëm që amniston krimin etj… të jenë kulaçi që po përgatit për Bashën që të nxjerrë jashtë përmes kërbaçit të ligjit të ri për zgjedhjet, pikërisht për aleatin e tij të sotëm?

Në politikë gjithçka është e mundur, edhe kjo që po e trajtojmë si një shënim të ditës.

Po bëhen kaq shumë muaj që politika ka vetëm një temë: Ligjin e ri për drejtësinë, reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë. Ka kaq shumë muaj që kushdo që ka ardhur në Shqipëri ka pasur vetëm një kryefjalë: ligjin për drejtësinë. Kanë ardhur, kanë folur, i kanë dëgjuar, kanë shkuar dhe ata që kanë mbetur, kanë harruar ose nuk kanë dashur të dëgjojnë se çfarë u është thënë. Takimi i sotëm mund të jetë një nisje politike, ndoshta edhe e mbarë, por mund të jetë edhe diçka krejt tjetër: Përzierjen e pushtetit me reformën, duke lënë anash të tjerët, të vegjlit, por që janë të shumtë, ashtu si ndodhi edhe kur u bë ndryshimi fatal i Kushtetutës.

Ndoshta, ku ta dish, këtë e ka ndjerë edhe Meta, përmes nuhatjes së tij të fortë politike, dhe përmes tij, 40 parti të vogla, jo rastësisht, para takimit Rama-Basha dorëzuan një peticion ku më shumë se gjithçka tjetër kërkohej rikthimi në disa veçanti të ligjit të dikurshëm zgjedhor.

Të jemi të sinqertë: Asnjëri nga dy liderët që do të takohen nesër nuk janë shquar për besnikëri politike. Rama, pasi u quajt Njëshi, e harroi, anatemoi ish Njëshin dhe aleatin e sotëm politik. Basha, edhe pa u bërë Njëshi, ia gjeti vendin Olldashit politikisht, i cili gati sa nuk u shpall armik i partisë dhe i shtetit.

Të jemi të sinqertë edhe më tej: Forca politike e drejtuar nga zoti Meta, në fakt partia politike më e organizuar në vend, sa që herë herë, në kushtet e zgjedhjeve, të çon mallin e një detashmenti politik, jo gjithnjë ka bërë punë të vyera për vendin. Ata, sidomos pas ndryshimeve kushtetuese, e kanë parë veten në atë fjalën e vjetër, “ose ha çorbën, ose hidhu nga dritarja” dhe askush që është në politikë, ku mund të ketë edhe mëkate, nuk është i luajtur të hidhet nga dritarja.

Sidoqoftë, nesër, se cili do të jetë roli i të tretit, i domosdoshëm, apo i tepërt, mund të jetë njëra nga pikat e fshehta të takimit, tymi i së cilës mund të shfaqet më pas, por që, gjithsesi nuk mund të jetë tymi i bardhë.

Një gjë është e ditur tashmë, sado që nuk duam ta pranojmë. Në lojën e politikës LSI është më e fuqishme sa mund të mendojnë dy lojtarët kryesorë. Në vitin 2005, kjo forcë politike, sado e porsa nisur, përmes një loje politike të hapur, nxorri nga fusha Fatos Nanon dhe pushtetin ia kaloi Berishës, duke marrë në përqindjen e pushtetit shumë më tepër se sa kishte marrë në besimin e popullit. Pak më pas, përmes saj, për herë të parë, Rama si kryebashkiak fitoi përmes 10 votave, të cilat ishin lehtësisht të vjedhshme, aq më tepër në KQZ ishte një ujk i dërmuar, si Ristani. Ramës i mbeti vetëm shansi i pushtetit qendror, të cilin ia dha po ashtu, LSI, duke nxjerrë jashtë lojës Berishën, e pak më pas, nxorri jashtë jashtë, në pjesën e parë të lojës, edhe Bashën, duke ia marrë Bashkinë e Tiranës.

Të gjithë që kanë hyrë në lojë me të, duam apo nuk duam, kanë ndjerë se janë të humbur. Dhe LSI u bë i domosdoshmi në qeverisjen e pushtetit.

Ka një rrugë: Të shtrihet më gjerë, të bëhet më solide dhe të hiqen rregullat e mbrapshta që shefin e partisë e bëjnë zot të zgjedhjeve politike. Të mos jetë thjesht vetëm një forcë politike e tretë, por një bashkësi forcash, të ashtuquajturat të vogla, që përmes shumësisë së tyre të mund të jenë pengesë e abuzimit me pushtetin.

Problemi është ku do i gjesh ato, e aq më tepër, ku do i gjesh liderët e papërlyer, ose që të garantojnë se nuk do të jenë si të parët e tyre. Sot në Tiranë mund të jetë nisja e një loje të re politike, ndoshta më e vështira që është luajtur deri tani. Vetëm se ka një ndryshim: Njëri do të jetë i plotfuqishëm të vendosë, tjetri duhet të kthehet edhe një herë tek kullat, ku rri zoti i tij dhe të marrë lejen për të folur.

Mos u habisni: Pas së hënës do të vijë e marta…pastaj ditët e tjera, loja vazhdon..

Share This Article
7 Comments
  • Z.Bedri! Keni folur si politikan! Keni bere llogarite dhe analizen politike dhe gjendjen e partive! Keni te drejte! Meta eshte i tepert?! Mundet qe tani per tani eshte kjo ceshtje qe kerkon zgjidhje! Por Basha,sic thoni Ju, do te shkoje tek Berisha por edhe Rama tek Meta! Por keta jane te zhytur ne korrupsion! Si mund te pritet nje “deux machina”?! POR MENDOJ SE KENI SHUME TE DREJTE KUR THONI SE ” duhet shkuar drejt pajtimit kombetar”! Mjaft e lejuam Berishen te na percaje! Ju falenderoj! A e lexuat Zhejin?! Fytyra e vertete e gazetarit analist ! Mercenare te peshtire!

  • Po kush do takohet ne fakt xhanem:
    Nje perfaqesues bande,e cila ka cfaqur te gjitha veset e mbrapeshta njerzore,nje marionet,nen gishtrinjte e Saliut,qe dhe rezidencen ku strehohen e kane te vjedhur.
    Dhe shume tru thare ne kete truall,kete bande kriminelash vazhdojne ta quajne parti.
    Dhe perballe tij kemi nje kryeminister,qe karrigen e tij e ka zevendesuar me nje uturak,qe ka arritur deri ne absurd qe dhe te dekoroje pjestare te kesaj bande,qe ka shkuar ne te kundert me detyren e vet duke shitur kete karnavale kryeminister tek Saliu.
    E pra eshte nje ngjarje me se e peshtire, e pa kuptimte dhe groteske, ne historine e ketij vendi:
    De facto takohet nje piktor qe e mban vehten per kryeminister dhe nje marionet capacul,qe perfaqeson Salihaxhiqamilin me tere menxyren e krimeve dhe tere veseve njerzore, nje cerek shekullore, qe i ka shkaktuar ketij kombi.

  • Po takohen dy bajlozat e grintes se mafies politike shqiptare se keshtu e kerkojne nderkombetaret dhe jo se nuk e duan “te tretin te vertetin”.

  • poshtersia ndaje shqiperise esjte eme e madhe dhe me e forte dhe e pabese se keure qekure erdhi dhe mbeshtesei i madhe grek i bashes mjer shqiperin ce pret

  • Shkrim i dobet. Me mire te mos e kishe botuar.
    Indirekt sikur tentohet te ngulitet edhe me tej ajo qe shpesh qarkullon se “shqiptaret jane te pabese”, gje qe nuk eshte e vertete.
    Nuk them se politikanet jane engjej, edhe gabojne, por sidoqofte dijme faktin se Rama e Meta jane mirekuptuar me 2013-ten dhe une nuk besoj se pas pranimit te gabimeve para njeri tjetrit, Rama do te punonte ne erresire kunder Metes.
    Nuk mendoj se B.Islami po ben shantazhin e radhes, nuk e besoj, por edhe kaq erret nuk e meritonte te paraqitej figura e Rames para ketij takimi, ne nje kohe qe eshte i vetmi Rama qe e ka vene ne programin e PS-se reformen ne drejtesi qe kur ishte ne opozite, eshte i vetmi qe i ka qendruar pa asnje luhatje projektit perfundimtar te kesaj reforme sic e mbeshtesin edhe nderkombetaret. Rreth tij, pavaresisht hienave medioker te mediave, askush nuk ka dyshuar ne sinqeritetin e tij dhe grupit parlamentar te PS-se. Duhet t ia njohim kete merite.

    Te shohim

  • Qe mbas te henes te vije e marta, me duket e cuditeshme, si ka mundesi te ndodhe keshtu, qe ditet e javes te vazhdojne sipas kesaj radhe?
    Bedri, kesaj radhe ia ke futur kot.
    Pse Vasili, do te vepronte kunder Metes?
    Ngandonjehere edhe ju analistet reale, ia fusni kot me llogarite tuaja. Nuk mund te jesh specialist kudo e per cdo gje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *