Tri djem britanikë, të cilët kishin festuar në mënyrë të shfrenuar në një klub të Qipros gjatë një mbrëmjeje, teksa ishin me pushime, janë zgjuar mëngjesin e të nesërmes në Siri.
Lewis Ellis, 25 vjeç, Alex McCormick, 19 dhe James Wallman, 23, mendonin se i kishin hipur “delfinit” për një udhëtim turistik, por “delfini” rezultoi të ishte një anije, e cila po lundronte nga Aja Napa drejt portit sirian të Tartusit.
Dhe kur nisi t’u dilte pija dhe pyetën se përse po zgjaste kaq shumë udhëtimi i tyre, ata mësuan se ndodheshin në anijen e gabuar. Pasi zbritën në port, ata befasuan policinë ushtarake, e cila i dërgoi në bazën ruse që ndodhej shumë pranë, për t’i rikthyer andej nga kishin ardhur.
