DY BALADA DHE NJË POEZI

redaktor

1. Vajza e valëve

Qanin dy dete ballë për ballë,
të dy të helmatosur,
një shpresë e mjegullt mbante gjallë,
ah-shpirtin e plagosur.

Po dallëndyshet varg e varg,
e prunë lajmin e fundit,
se mërgimtari-diku larg,
s’do ngrihej më prej gjumit.

Vejushë e mjerë-virgjëreshë,
tani s’ka kë të presi,
në breg të detit pa një shpresë,
nga vdekje e tij do vdesi…

Qajnë dy dete ballë për ballë,
dhe nuk pushojnë kurrë,
se s’kish më shpresë ta mbante gjallë,
ah-shpirtin e sëmurë.

Një shkëmb i zi në breg ka mbetur,
që t’u tregojë të gjallëve,
dhe njëqind vjet mbasi ka vdekur,
vajton vajza e valëve…

Qanin dy dete ballë për ballë,
njeri me lot-tjetri me valë…

27.04.1995

2. Rri me mua këtë natë

Ku ta shkrij gjithë këtë akull,
këtë terr që po më mbyt?!
Për të shkrirë gjithë Antarktidën,
më mjafton veç trupi yt…

Rri me mua këtë natë,
këtë kohë që na mbeti,
na mjafton veç një krevat,
nga çdo gjë që ka qyteti…

Në një dhomë – në errësirë,
nuk ra zjarr – s’plasi dyfek,
po për dreq aty u dogj,
një krevat dhe një dyshek…

3. Pikëllim

Tani jam një rrugë dimërore,
mbuluar me trungje e gjethe,
i rrahur me shakuj dëbore,
kam ftohtë e dridhem në ethe.

Tani jam një rrugë e shkretuar,
një strehëz e shiut dhe erës,
nga unë me kohë ka mërguar,
e arta stinë e pranverës.

Tani ja një rrugë kaq e shkretë,
plot pikëllim të pafund,
asnjë shkëndijëz jetë,
të nxjerr nga shpirti nuk mund.

Tani jam një rrugë krejt e shkretë,
diamant i thërrmuar qindra pjesësh,
ç’mundim ta jetosh këtë jetë,
ç’lumturi qiellore të vdesësh.

Tani jam një rrugë dimërore,
as këngët s’ma ngrohin më shpirtin,
kambanat mes heshtjes mortore,
në kryq më thërrasin si Krishtin.

Dhjetor 1995

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *