Edhe pse jemi një pikë e rëndësishme në Ballkan sa i përket mundësisë së porteve, shërbimet në këtë fushë ende janë larg pritshmërive. Por për të pasur shërbim në këtë fushë me udhëzimin e ri të para pak ditëve, duhet të marrësh licencë. Kështu sipas këtij udhëzimi të gjithë individët apo bizneset që janë të interesuar të kryejnë një veprimtari të caktuar në fushën e shërbimeve portuale, duhet të licencohen më parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Kush konsiderohet shërbim portual
Sipas udhëzimit të ri, veprimtaritë në fushën e “Shërbimeve portuale” të transportit detar që janë subjekt licencimi përfshijnë, ushtrimin e veprimtarisë së pilotimit; ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në Autoritetin Portual Durrës, Porto-Romano dhe në radat përkatëse; ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve të ngurta dhe vajore në portet e tjera detare dhe në radat e tyre; ushtrimin e veprimtarisë së Stacionit të Shërbimit të Pajisjeve të Sigurimit të Jetës në Det; ushtrimin e veprimtarisë së survejimit të mjeteve lundruese dhe ushtrimin e veprimtarisë së ormexhimit.
Procedura e pajisjes me licencë
Kërkesat dhe dokumentacioni i personave juridikë/fizikë që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në fushën e transportit detar parashikuar nga neni 3, dorëzohen në QKB. Dokumentet quhen zyrtarisht të dorëzuara, duke filluar nga data kur personi juridik/fizik ka paraqitur kërkesën dhe dokumentacionin përkatës në QKB, në përputhje me kërkesat e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Në përfundim të procesit të licencimit, personi juridik/fizik pajiset me titullin e licencës dhe aktin e miratimit përkatës. Afati i licencës për shërbime portuale është: – kur aplikon për herë të parë me afat 1-vjeçar (njëvjeçar); – në rast përsëritje me afat 3-vjeçar (trevjeçar). Tarifat e licencimit janë të njëjta me tarifat e përcaktuara në VKM-në nr. 1035, datë 9.7.2008, “Për caktimin e tarifës së licencimit të subjekteve, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, në fushën e punimeve të ndërtimit dhe të transportit. Licenca hyn në fuqi me miratimin dhe publikimin në Regjistrin Kombëtar të Licencave, autorizimeve dhe lejeve.
Ushtrimi i veprimtarisë së pilotimit
Personi fizik për t’u licencuar për ushtrimin e veprimtarisë së pilotimit duhet të paraqesë pranë autoriteteve dokumentacionin e mëposhtëm: a) formularin e autodeklarimit; b) dëshminë e aftësisë për pilot (certifikatën e pilotit); c) një mjet lundrues për shërbim pilotimi, i cili verifikohet nëpërmjet dorëzimit të dokumentacionit të mëposhtëm: i) dëshminë e aftësisë së lundrimit për mjet të vogla. Në rastet kur e merr me qira e shoqëruar nga kontrata noteriale për marrjen me qira, e cila të jetë me afat për jo më pak se 4 vjet dhe të përdoret ekskluzivisht nga subjekti që do të licencohet; ii) certifikatë nga prodhuesi i mjetit lundrues; iii) certifikatë e sigurisë e lëshuar nga shoqëria klasifikuese; iv) dëshminë e aftësisë për drejtuesin e mjetit e lëshuar nga DPD-ja. d) mjet të vogël lundrimi për shërbim asistence të vërtetuar nga “Dëshmi e aftësisë së lundrimit për mjete të vogla”, të lëshuar nga DPD-ja. Në rastet kur e merr me qira, e shoqëruar nga kontrata noteriale për marrjen me qira, e cila të jetë me afat për jo më pak se 4 vjet dhe të përdoret ekskluzivisht nga subjekti që do të licencohet; e) sistem radiosh stacional që të mundësojnë komunikimin me stacionin qendror dhe të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e hyrje-dalje së mjeteve lundruese në port; f) deklaratë që deklaron se ka në përdorim veshje fosforeshente në të cilën të shkruhet fjala “PILOT” dhe më poshtë emrin e operatorit, pajisje personale shpëtimi dhe pajisje të tjera specifike të nevojshme për ushtrimin e aktivitetit, të cilat të jenë të pajisura me certifikata nga prodhuesi; g) vendndodhja e aktivitetit të jetë brenda portit ku ushtrohet veprimtaria me shërbim 24/7.
