Mbretëresha shpërfill ish-kryeministrat Bler dhe Braun

anazapta

Urdhrin Fisnik Garter, mbretëresha Elisabetë II ua ka dhënë të gjithë kryeministrave që i kanë shërbyer monarkisë, por ua ka mohuar në mënyrë të përsëritur dy laburistëve Toni Bler dhe Gordon Braun. Një mospërfillje e tillë nuk mund të jetë rastësore

 

Është titulli më i vjetër dhe prestigjoz në Britaninë e Madhe, i cili daton që në vitin 1346, nga Lufta e Njëqind Vjetëve dhe që dorëzohet vetëm nga mbreti ose mbretëresha. Elisabeta II në gjashtëdhjetë vitet e mbretërimit të saj, këtë çmim ua ka dhënë disa prej personaliteteve më të rëndësishme dhe me influence në nivel kombëtar, duke përfshirë këtu të gjithë kryeministrat që kanë drejtuar vendin gjatë epokës së saj, nga Uinston Çërçill deri te Xhon Major. Por, ndër ta ka pasur edhe dy përjashtime që s’kishin si të mos binin në sy: Toni Bler dhe Gordon Braun, të vetmit ish-kryeministra që nuk e kanë marrë ende Urdhrin Fisnik Garter.

Me këtë titull nderohet çdo vit një njeri që konsiderohet se ka dhënë kontribut të shquar në Britani dhe çdo vit dy ish-liderët laburistë zhgënjehen: këtë javë sovrania preferoi t’ia jepte urdhrin një ish-komandanti të Forcave Mbretërore Ajrore, mareshalit Graham Stirup, figurë pak e njohur për opinionin publik.
Nuk mund të jetë një harresë dhe mendimi i përgjithshëm i mëshon versionit të një mospërfilljeje të qëllimtë nga ana e mbretëreshës. Ishin pikërisht Toni Bler dhe Gordon Braun ata që mungonin midis të ftuarve në ceremoninë e martesës së princit Uilliam me Keit Midëlltonin, në katedralen e Uestminsterit. Kjo fyerje nuk kaloi pa u vënë re dhe ngriti disa kritika, duke konsideruar se mbretëresha duhet të jetë politikisht e paanshme. Që preferon konservatorët është e ditur dhe në thelb kjo është logjike, por arsyeja se përse e “keqtrajton” Blerin dhe Braunin nuk duket se ka të bëjë me linjën e tyre politike, ish-kryeministra të tjerë laburistë janë nderuar me këtë titull.

Ka shumë të ngjarë që motivet të jenë të tjera: Toni Bler e detyroi sovranen të ulte flamurin në gjysmështizë dhe të mbante një fjalim në rastin e vdekjes së princeshë Dianës (e cila ishte divorcuar me djalin e saj, princin Karl) dhe këtë mesa duket Elisabeta nuk ia fal, ndonëse ish-kryeministri e shpëtoi monarkinë në një moment shumë të vështirë, kur kishte humbur pothuajse të gjithë popullaritetin e saj.

Në një rast tjetër, bashkëshortja e ish-kryeministrit, Sheri Bler, refuzoi t’i përkulej në shenjë nderimi dhe ky gjest ishte një shfaqje e hapur e mungesës së respektit ndaj autoritetit të saj si monarke. Sa i takon Braunit, nuk ka një shpjegim të qartë, ndoshta ndjen antipati për të e vetëm aq dhe në këtë rast nuk është e vetmja.

I rezevuar vetëm për meshkujt deri më 1987-n, Urdhri ka sot si dekan 93-vjeçarin lordin Kerrington, ish-ministër i Jashtëm. E vetmja  grua që e ka marrë atë është ledi Soames, vajza e heroit kombëtar, Uinston Çërçill. Askush nuk e di ekzaktësisht nga e ka prejardhjen emri i këtij titulli “The Most Noble Order of the Garter” (Urdhri Fisnik Llastik Çorapesh) por një rrëfenjë e vjetër, tregon për një damë, e cila gjatë një balloje të zhvilluar në pallatin mbretëror humbi një nga llastiqet e çorapeve të saj. Ishte vetë mbreti që e gjeti dhe e vendosi në këmbën e tij. Nga ai gjest fisnikërie mendohet se ka lindur titulli i lakmuar, e që Blerit dhe Braunit i është mohuar.  Dorina Gjuzi

Share This Article
1 Comment
  • Mbretërija britanike do të ekzistoi , sepse e kërkojnë kushtet , por duhet të kufizoi 100 herë shpenzimet grandioze . Kjo jo se do varfërohet Anglija , por Mbretërija të tregoi fisnikërinë , në rrast se do të zgjasi jetën e saj .Bler dhe Braun , kanë bërë për Britaninë , shumfish më shumë se Mretëresha simbolike . Është në nderin e saj , që Mbretëresha të reformoi rrënjësisht Mbretërinë , nën shëmbullin e Papa Francesk . Illo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *