Përshëndetje Z.Thano,
U mundova t’ju dërgoj një opinion me SMS por ishte e pamundur. Në radhë të parë i uroj jetëgjatësi Gazetës suaj, për mënyrën e saktë dhe objektive të të paraqiturit të problemeve shumë të mëdha që po kalojmë të gjithë. Shpesh kam përshtypjen, sidomos kur kalon situata të tilla si 97-tën, Gërdecin, 21 Janarin, dhe kërcënimin e kufijve të Atdheut (si kufirin në Jon), dhe tani të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi, që edhe e cunguar nuk votohet, sikur toka më lëkundet nën këmbë. Dhe, kur njihesh me informacionet që jep Izet Haxhia, që për mua janë shumë të besueshme, për fat të keq, lëkundja shtohet akoma më shumë, sepse janë 25 vjet e më shumë, që shumë duar armiqësore po na tundin e shkundin, e po duan të na shkërmoqin. Dhe e keqja është se tani, për fat të keq nuk jemi “POPULL E USHTRI” , një e të pandarë. Në fakt sot u nisa të shkruaj për t’ju uruar dhe për një Koment në lidhje me shkrimin “Ku gabojnë Ambasadorët”, të z.Ilir Kulla.
Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte mënyra jo vetëm jo profesionale, por për më tepër maskiliste, e shkruesit, kur i kërkon “ Flokëkuqes Ambasadore” të kryejë mirësi për gruan e dhunuar në Vlorë. Për mua, përveçse është turp të lypësh, dhe mendoj për çdo Shqiptar, është shumë e gabuar (për mos thënë më shumë), t’i drejtohesh një gruaje shqiptare në këtë mënyrë, e jo më një të huaje, e aq më pak një Ambasadoreje të BE. (por ama jo një AMBASADORI).
Të gjithë ambasadorët në Shqipëri kanë shumë gjynahe me ne, por kjo nuk është gjë e re. Ka mbi 100 vjet që Europa, na ka përdorur vetëm si vend për të plotësuar lakmitë e fqinjëve. Dhe kjo, nëse dje e mësonim si Histori (aq të kritikuar në këto vite), sot është aq evidente, sa vetëm ai që nuk do nuk e pranon.
Por unë mendoj se, mbi të gjithë, fajin më të madh e kemi ne Shqiptarët, dhe çdo gjë duhet ta kërkojmë tek vehtja jo tek të tjerët. Jemi ne përgjegjës, sidomos shtresa patriotike intelektuale, që lejojmë të na udhëheqin politikanë antishqiptarë.
Me respekt, Mira Konda
