Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Gabimi i nëpunësve të Kuvendit në kalendarin tre javor të axhendës së tij dhe reagimi i furishëm i opozitës, nxori sërish në pah taktikën opozitare të vonesës deri në mos realizim të reformës. Por kjo tashmë dihet. E kemi parë çdo ditë e në çdo formë. Ajo që duhet nënkuptuar në këtë rast është se durimit po i vjen fundi.
Ftesa që i bëhet z. Basha për takim me Kryetarin e Kuvendit deri të hënën e fill pas kthimit të tij nga SHBA, është sinjal i fortë. Nxitimi i PD-së për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese tregon pasigurinë e panikun opozitar në rast të një votimi me 94 vota. Në rast se opozita do të kishte garancinë e të vetëve nuk do ta kishte problem, pasi do të ndodhte ajo që ka tre vjet që ajo e kërkon pa ju mbyllur goja. Zgjedhje të parakohshme. Por edhe këtu opozita ndjehet e frikësuar. Ajo e di që nuk i fiton dot zgjedhjet. I vetmi shans i saj është pengimi dhe përbaltja e çdo veprimi qeverisës deri në zgjedhjet normale për të shtuar votat e pakënaqësisë ndaj mazhorancës.
Për mendimin tim, në gjendjen ku z. Berisha e ka rrokullisur PD-në, është e vetmja mundësi që ajo të mbijetojë e pacopëzuar deri në verën e ardhshme. Doktori e nuhat që koha nuk punon për të e kërkon me çdo kusht të zgjasë agoninë e tij e të partisë që përfaqëson. Votimi dhe implementimi i reformës është pa dyshim vijë fundore jo vetëm për të, po për shumëkënd që e ndjen frikën e ndëshkimit. E nuk duhet të jenë pak, ndaj dhe pengesat janë të shumta.
Mendoj e shpresoj se SHBA-të, si 100 vjet e këtej, kanë treguar me fakte se janë miq të mirë, sidomos në halle. Të jenë edhe sot të tillë. Shqipëria është realisht në vështirësi. Asaj i mungon kollona vertebrale që garanton liritë e të drejtat e njeriut, drejtësia. Nga Profeti
