Britania e Madhe dhe frika e BE-së

redaktor

Britanikët do të votojnë më 23 qershor, për qëndrimin apo daljen nga BE. Një votë, që ende nuk dihet se nga do të anojë. Sondazhet paraprake edhe pse favorizojnë lehtë votën për dalje nga Unioni, nuk mund të thuhet se janë tërësisht të besueshme. Kjo, duke marrë parasysh rastin e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme në Britani (maj 2015) ku sondazhet konfiguruan një tjetër rezultat nga ai që doli nga kutitë e votimit.

Por, votimi në Britani ka shkaktuar jo pak ankth dhe pasiguri në Union. Pasiguri, që lidhet me ripërsëritjen e kësaj tendence. Jo më larg se muaji prill i këtij viti, Holanda do të tërhiqte vëmendjen mbi referendumin popullor të kryer, në lidhje me çështje të jashtme të Unionit, siç ishte Marrëveshja e Asocimit me Ukrainën. Një konsultim popullor, që rezultoi me një refuzim ndaj kryerjes së kësaj marrëveshje. Por, ky mekanizëm i angazhimit të iniciativës qytetare, mund të çojë sërish me një lehtësi edhe në organizimin e një Nexit, pra referendum për dalje apo qëndrim të Holandës në Union.

Angazhimi i këtij mekanizmi ka një qasje interesante, pasi në formë duket sikur trajtohet një çështje politike reale, por në thelb, ky mekanizëm nuk shërben veçse si një mjet i pastër presioni politik, për të arritur objektiva dhe interesa të caktuara. Rasti tipik është ai i Britanisë së Madhe dhe negocimet e vazhdueshme për rishikim të pozicionit të saj në BE, si me laburistët në vitin 1974, por edhe me kërkesat e Thaçerit, që gjetën plotësim në vitin 1989.

Kjo formë presioni për bllokim, që u vëzhgua edhe me rastin e fundit holandez, shton pasiguritë për lëvizje të njëjta nga vendet e ish-kampit komunist, kryesisht vendeve të Vishegradit (V4). Ka një tension, që lidhet me ndarjen gjithnjë e më të thelluar që po ndodh mes vendeve të Perëndimit dhe atyre të Lindjes së Unionit.

Polonia është dominuar nga populizmi, nacionalizmi dhe ultra-konservatorizmi. Qeveria euroskeptike e Beata Shidlo ka hyrë në një fazë marrëdhëniesh të komplikuara me Komisionin Evropian, duke e ekspozuar Varshavën ndaj sanksioneve, pas reformave të ndërmarra që kërcënojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Situatë, që ngjason me politikën e Hungarisë ku kemi të njëjtën tendencë nacionaliste dhe populiste, të shoqëruar po me sanksione evropiane si kërcënime ndaj mos funksionimit të shtetit të së drejtës. E njëjta situatë lexohet edhe në Sllovaki, populizëm dhe ksenofobi, nga social-demokratët e Ficos.

Por, tensioni që shkakton në vetvete efekti domino dhe ripërsëritja e skenave të tilla të presionit, duket se nuk ndihmohet aspak nga situata e përgjithshme politike dhe ekonomike, që mbizotëron në shumë prej vendeve të BE-së.

Italia, e zhytur në borxhe, ka kohë që është hedhur në sulm politik, duke e kritikuar sistematikisht Evropën teknokrate, që është e fiksuar pas planeve të saj për shtrëngesa ekonomike krejtësisht të pavlefshme, duke u bërë në këtë mënyrë palë me vendet e tjera, që mbrojnë të njëjtën linjë kundërshtuese ndaj këtyre politikave ekonomike.

Franca, nuk po arrin dot të respektojë rregullat buxhetore të BE-së, duke krijuar një klimë qartazi favorizuese në raport me vendet e tjera. Tensione sociale kanë përfshirë vendin, nacionalistët e FN-së kanë pozicione të stabilizuara, dhe euroskepticizmi ka penetruar thuajse në çdo krah politik.

Gjermania gjendet tërësisht e izoluar në skenën evropiane në lidhje me politikat e azilit dhe reformimin e tij.

Spanja është nën mbikëqyrje të rreptë për shkak të pamundësisë së saj që të ulë deficitin në 3% të PBB-së, si edhe Portugalia. Klima politike dominohet nga kërkesat e vazhdueshme për shkëputje territoriale dhe pavarësi të Katalonjës. Një sërë skandalesh të vazhdueshme korrupsioni kanë dominuar partitë e mëdha tradicionale.

Rumania dhe Bullgaria po qëndrojnë tek porta e Shengenit, duke mos u bërë dot pjesë e këtij sistemi. Shkaku, lidhet me korrupsionin e lartë në këto vende dhe një sistem gjyqësor jo funksional.

Danimarka ka një euroskeptizëm të konsiderueshëm dhe në shumë prej politikave të BE-së preferon të qëndrojë jashtë.  Belgjika është e fokusuar tek niveli i lartë i borxhit publik, por ka qasje të qëndrueshme pro-evropiane. Ndërsa Greqia nuk ka nevojë për koment pasi kriza ekonomike është shoqëruar sistematikisht me kriza politike.

Por, çfarë ndodh në rast se britanikët vendosin të dalin nga BE ?

Pas daljes së rezultatit përfundimtar, britanikët duhet të interpretojnë rezultatin e dalë nga vota si edhe t’a përkthejnë atë politikisht përpara Unionit.

Juridikisht, fokusi i zgjidhjes së ngërçit politik ka profilizuar dy opsione: dalje automatike si edhe dalje e “pjesshme”.

Opsioni i daljes automatike, angazhohet nën aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, që parashikon procedurën e negocimit për dalje. Një negocim që zgjat dy vite, deri në daljen e plotë të vendit nga BE. Por, aktivizimi i këtij neni duhet të kërkohet nga pala britanike, e cila edhe mund ta shtyjë atë në kohë, duke u përpjekur të ndërmarrë ndonjë lëvizje strategjike, si periudhë e nevojshme për reflektim. Nëse vendos të aktivizojë nenin 50, atëherë fillon procedura e negocimit për dalje dhe vetëm pasi mbyllet kjo fazë, Britania e Madhe mund të kërkojë negocim për marrëdhënien që dëshiron me Unionin. Por, çdo lloj marrëdhënie e re që ajo do të kërkojë, si tregtare, qasje në tregun e përbashkët, etj, duhet të ratifikohet nga çdo shtet anëtar i BE-së. Ekspertët e fushës e vlerësojnë këtë fazë, si një etapë që mund të zgjasë përafërsisht deri në 10 vite.

Ndërkohë paralelisht me opsionin e parë, jo rastësisht kemi edhe qarkullimin e një opsioni të dytë. Një opsion që eviton krizën për Unionin, duke mos e lënë Britaninë të shkëputet tërësisht nga BE. Ky opsion përfshin revokim të Aktit të vitit 1972 mbi aderimin në Komunitetin Evropian, që imponon superioritet të legjislacionit evropian mbi legjislacionin britanik. Një opsion interesant, pasi e zhvesh Britaninë nga detyrimi ligjor i BE-së, por që vlerësohet se përmban një risk, atë të efektit domino me vendet e tjera dhe krijimit të një kaosi në Union.

Por, sido që të vendosë vullneti popullor i britanikëve, palët do të kujdesen t’i shkaktojnë sa më pak dëm njëra-tjetrës. Detyrim, që buron nga morali i një marrëdhënie dhe partneriteti të frytshëm historik./im.ta/DITA/

 

 

Share This Article