Aktualisht ai është angazhuar me kombëtaren shqipëtare në Euro 2016-të, por pasi ndihmoi Pescarën me paraqitjet të tij të shkëlqyera të siguronte ngjitjen në Serinë A italiane, për Ledian Memushajn ka nisur të interesohen shumë klube të elitës së futbollit italian.
Një prej skuadrave që dëshiron të ketë shërbimet e mesfushorit vlonjat është Bologna. Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane Il Centro, drejtuesit e klubit nga Dall Ara kanë vendosur në shënjestër kapitenin e Pescarës, dhe për të bindur skuadrën abruceze janë të gatshëm të ofrojnë deri në 2 milionë Euro për kartonin e 29-vjecarit.
Një shifër kjo që do të jetë e vështirë për tu refuzuar nga drejtuesit e Pescarës, por nga ana tjetër nuk duhet harruar gjithashtu fakti që Ledian Memushaj është një prej futbollistëve më të rëndësishëm të delfinëve dhe presidenca e klubit të sapongjitur në Serinë A, mund të vendosë ta mbajë në skuadër mesfushorin shqiptar.
Ledian Memushaj është një pikë referimi për trajnerin Massimo Oddo me këtë e fundit që e cilëson kuqeziun si një futbollist deciziv për Pescarën që ai ka në mendje edhe për sezonin e ardhshëm. Ish futbollisti i Lazios dhe Milanit nuk dëshiron kurrësesi të privohet nga shërbimet e 29-vjecarit vlonjat. Ledian Memushaj është pjesë e Pescarës prej 2 vitesh dhe në sezonin që sapo u mbyll me 11 golat e realizuar ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në ngjitjen e ekipit aburcez në Serinë A.
