Çmimet e referencës, hiqen 83 mallra nga lista

Dita

Çmimet e referencës edhe pse ishte premtuar që do të hiqeshin për biznesin, do të ekzistojnë për disa mallra dhe për vende të caktuara.

Vetëm disa ditë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik Kombëtar, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, bëri me dije se vetëm ditët e fundit janë hequr nga lista e çmimeve të referencave edhe 83 produkte importuese, ç’ka do të thotë një lehtësi më shumë për biznesin. Ndërkohë sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, aktualisht vetëm për 13 % e mallrave që hyjnë në doganat shqiptare aplikohen çmimet e referencës.

Ndërsa për 87 % të këtyre mallrave paguhet detyrimi doganor në bazë të çmimit të faturës që paraqet biznesi­importues. Po sipas këtyre burimeve, kryesisht çmimet e referencës aplikohen për mallrat që kanë origjinën nga Kina dhe Turqia.

Çmimi i referencës është një çmim standard mbi të cilin bazohet dogana për aplikimin e tatimeve. Kështu, për të shmangur abuzimet e mundshme me faturat dhe kontratat e blerjes së mallrave, doganat aplikojnë çmime standarde të bazuara në kriteret e tregut dhe në të dhënat e mallit. Vlera doganore perfshin çmimin e mallit, shpenzimet e transportit dhe shpenzimet e sigurimit të mallit në transport, deri në arritjen e mallit prane zyrës doganore të deklarimit.

Dokumentat bazë të llogaritjes të vlerës doganore janë faturat e blerjes, fatura e transportit dhe çdo dokument tjetër i verifikueshëm. Megjithate gjatë procesit të importimit të mallit, dogana ka të drejtën e verifikimeve për të vërtetuar shumat e deklaruara. Për këtë qellim organet doganore mund të kryejnë krahasime të importeve dhe mallrave të ngjashme, të mallrave të importuara nga i njëjti vend i origjinës, apo të mallrave të importuara më parë nga i njëjti importues.

Por shqetësimi kryesor i biznesit për administratën doganore është ai i përdorimit pa kriter të çmimeve të referencës. Shpeshherë gjatë forumeve të përbashkëta i është propozuar krerëve të kësaj administrate që të minimizojnë këtë procedurë, që ndikon negativisht tek sipërmarrja. Refereuar deklaratave të sipërmarrësve, abuzimet në këtë drejtim janë nga më të ndryshmet, ku për të njëjtin produkt, por me marka jo të njëjta, aplikohen çmime të ndryshme reference

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *