Shqiptarët dje fituan. Kjo fitore nuk ka lidhje me 3-pikëshin që nuk e morëm. As me faktin a ishim më shumë a ishim më pak në stadium se zvicerianët. As me skuqjen (ne Facebook) të kullës së Eifelit. Po ku fituan atëhere dje Shqiptarët ?!! Shqiptarët fituan në dimensionin komunikativ. Ky dimension tregon se çfarë ti si pjesëmarrës dhe garues i një kompeticioni i komunikon botës. Kjo fitore ka lidhje me imazhin e vendit tonë që u përcoll përpara qindra miliona shikuesve sportdashës dhe jo sportdashës si kurrë më parë. Asnjëherë më shumë se dje nuk është parë, dëgjuar dhe folur pozitivisht nga një audiencë e gjërë në Europë dhe në botë për Shqipërinë dhe Shqiptarët. Kjo është fuqia e kompeticioneve të këtij formati që nuk janë vetëm gara sportive, por mbi të gjitha janë gara imazhi të shoqërive që përfaqësohen nga kombëtareve pjesëmarrëse. Pra Europiani i futbollit që është një nga kompeticionet televizive më të shikuara të globit nuk është thjeshtë një garë sportive por është edhe një garë komunikative.
Atmosfera elektrizuese e tifozëve shqiptarë të ardhur nga cdo cep i Europës Perëndimore, koreagrafitë estetikisht të gjetura nga organizimi i tifozëve Kuq e Zi, mbështetja e tyre në lojë pavarësisht rezultatit u harmonizua me garën e fortë sportive të djemëve që luajtën plot grintë në fushë. Të gjithë këto elementë të pasqyruara dhe që bënë jehonë në mediat ndërkombëtare gjatë dhe pas ndeshjes ishin faktorët e fitores sonë që nuk pamë në fushë.
11 qershori shënjon një ditë e shënuar për imazhin e vendit tonë. Pasi për herë të parë një audiencë masive ndërkombëtare qindra milionëshe nuk e lidhi markën e vendit tonë “Albania” as me krimin e organizuar, as me korrupsionin, as me kanunin, as me marrëdhënien tonë të supozuar të ngushtë me kallashnikovët, as me “Markun from Tropozha”, as me modelet negative steriotipizuese te Hollivudit etj.
Me pak si shume fjalë kjo ishte fitorja që nuk pamë në televizor.

