Llogjet për “rrugën e Arbrit” dhe Dibra e mbytur

redaktor

Nga Abdurahim Ashiku

Seanca për Rrugën e Arbrit, llogjet e përcjella nga kërkuesja e interpelancës, deputetja e PDIU zonja Doda dhe përgjigjet e ministrit Haxhinasto kanë hedhë mjegull mbi Luginën e Drinit të Zi, mjegull të zezë ku pazaret për ndërtimin me një, dy apo tri diga të hidrocentralit tepër të përfolur të Skavicës janë fshehur në zë e figurë.
Nuk ka asnjë dyshim se Lugina e Drinit të Zi do të mbytet dhe populli i Dibrës do të marrë rrugën e njohur të ikjes nga sytë këmbët, ikje që ajo e viteve 1913-1920 do të duket lule. Veçse në këtë rast populli i Tiranës nuk do të ketë derë të hapi dhe Mëhalla e Dibranëve nuk do të ketë odë t’i mbledhë. Se ku do të shkojnë dhe ku do të hapin themelet e një jete “me origjinë nga Dibra”, nuk dihet, nuk ka asnjë plan dhe askush nuk e thotë një fjalë të vetme.
Komentues në rrjetet sociale nuk munguan të nxitojnë që ta shpallin Zonjën Doda “Bijë të madhe të Dibrës” dhe të betohen se në zgjedhjet që fiks pas një viti do të bëhen, do ta votojnë si deputete të trevës. Sigurisht si deputete e partisë çame, në mos ndërroftë flamur e ngjyrë, gjë fort e zakonshme për njerëz që hyjnë duke shtyrë me supe në politikë.
Një “Rrugë e Arbrit” pa Dibrën si e ka krijuar Zoti është një “rrugë për në varreza”.
Dibrën nuk e nënshtruan dot:
As osmanlinjtë me 18 beteja humbëse në Luginën e Drinit kundër ushtrisë vullnetare të Skënderbeut…
As turqit e shekullit të 19-të me Hajredin Pashën e Hysni Pashën…
As Serbët me armatën e tyre moderne…
As Enver Hoxha i njohur për diktatin “sus”.
As Sali Berisha me sloganin “Unë jam i zoti të bëj vepra të mëdha”…
Po e nënshtron me mbytje kjo qeveri në koalicion dhe në një zë për ta zhdukë Dibrën nga faqja e dheut me gjithçka.
Në këtë hulli parësore për Dibrën dhe Dibranët është mbrojtja nga “turku” i Luginës së Dibrës.
Zonja Doda që zbulohet se është dibrane nga Reçi, do ta tjerrte mbarë thirrjen publike në Kuvend duke filluar nga ministri Gjiknuri i cili është vënë në ballë të shuarjes së Dibrës duke filluar nga diga mbi Katundin e Ri të Luznisë.
I ndjeri Sabri Godo përmendte shpesh se atdheu fillon nga familja. Megjithëse Doda nuk është republikane por pjesë e një partie që lufton për DREJTËSI, hapin duhet ta hidhte nga “familja e saj” nga Reçi që në mos sot me “Katundin e Ri”, nesër “me Skavicën” shuhet nga faqja e dheut.
Ta fillonte atje, për t’u thënë “turqve” që duan Skavicën, se e mbara do të ishte që pas tuneleve dhe Rrugës së Kombit, buldozerët dhe makineritë e rënda të firmës së tyre (bekuar edhe nga Erdogani) duhet të shkonin në hapjen e tuneleve dhe në ndërtimin e Rrugës së Arbrit me të njëjtat përmasa dhe cilësi, ani se në të hëngrën sa u frynë si turqit dhe shqiptarët me “duar në mjaltë”.
Është koha që deputetët me rrënjë e me prejardhje nga Dibra, të koalicioneve të krahut të majtë e të djathtë, bashkë, në një zë, t’i thonë së pari ndal mbytjes së Dibrës.
Është e vetmja gjë që nuk pret. Inkuizitorët i kanë prehur hanxharët…

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *