“Spiunia” e Kombëtares shpërthen kundër Dukës

redaktor

Karin Vitasek është një profesioniste austriake në fushën e promocionit (ka studiuar për shkenca ekonomike dhe marketing, konsulente komunikimi, specialiste PR), të cilën drejtuesit e FSHF-së e kishin punësuar pranë kombëtares që ditën e parë të grumbullimit në Austri dhe më pas në Francë. Ajo kishte për detyrë menaxhimin e intervistave të pjesëtarëve të kuqezinjve për mediat e huaja, duke u kujdesur, sigurisht, të përcillte imazhin më të mirë të kombëtares në Europë. Po ashtu, ajo kishte marrë përsipër që të hartonte në fund të Europianit një revistë speciale për kombëtaren shqiptare, duke u fokusuar tek emocionet e kualifikimit historik në “Euro 2016”, por kryesisht tek gjithçka ka ndodhur me përfaqësuesen tonë në Austri dhe Francë. Kuptohet, intervistat e dhëna nga lojtarët, stafi teknik, trajneri dhe presidenti Duka për mediat e huaja, të “kururara” prej saj, do të ishin pjesë e kësaj reviste speciale, e ilustruar me shumë foto. Në fakt, ky bashkëpunim është ndërprerë ditët e fundit në mënyrë të njëanshme, sepse ajo është larguar nga kampi kuqezi. Mediat, ditët e fundit kanë shkruar se Karin Ëitasek është përzënë për shkak se ka “spiunuar” te zviceranët, se rrezikonte ta bënte këtë gjë edhe te francezët, duke ngritur një teori konspiracioni të paqenë. Vetë austriakja ka zbuluar komunikimin që ka pasur me presidentin Armand Duka. Ajo jep versionin e saj, duke akuzuar për mosbashkëpunim dhe sabotim të punës që kishte marrë përsipër të bënte nga përfaqësuesit e shtypit të FSHF-së, por edhe të tjerëe zyrtarë të këtij institucioni, që i përmend me emra në email-in e fundit, që i ka dërguar Dukës, të cilin “telesport.al” po e boton të plotë, ashtu si edhe përgjigjen e shkurtër të kreut të futbollit shqiptar.

Email-i i plotë

Mirëmëngjes Armando! Nëse punonjësit e tu të thonë kështu, atëherë kjo është gënjeshtra e radhës. Drejtori i redaksisë së kësaj gazete në Shqipëri më tha edhe se çfarë keni thënë. Do të kisha shumë dëshirë të të rrëfeja sesi reagojnë kur përmendet emri yt. Sa për të të thënë, përshkrimi i të enjtes së fundit: Në mëngjes bëmë mbledhje me Ilir, Gazmend dhe Kokona, nuk jam e sigurt nëse ishte edhe Lusien, besoj se po… edhe unë… Ata flasin pothuajse gjithmonë në shqip. Pas 5 minutash them do të më pëlqente të kuptoja nëse po bëjmë ndeshje bashkë dhe Gazmend më thotë të njëjtën frazë të shkurtër në shqip për rreth 5 minuta. Flasin edhe për topin e vendosur nga Roberto afër stadiumit. Ishte hera e parë që dëgjoja të flitej për këtë gjë. Kërkova menjëherë foto, informacion, kërkova idenë sesi mund t’ia përcillja shtypit. Nuk më dhanë gjë. Të betohem që të gjitha informacionet që pata i gjeta në internet, ose duke folur me njerëz. Dhe e dimë shumë mirë që të dy që nuk i kam dhënë asnjë informacion “të rezervuar” shtypit. Madje, as nuk i kisha. Dhe s’kisha asnjë arsye për ta bërë. Kam të gjitha email-et që kam shkëmbyer me gazetarët, të cilët ankoheshin se e provonin me javë të tëra të kontaktonin me federatën dhe deri më sot nuk iu ishte përgjigjur askush. Është e pabesueshme dhe e turpshme kjo sjellje. Kam mbajtur dhe të gjitha email-et, kur Ilirit i duhej të fliste me “kopje”. Nuk e kuptoj sesi mund të thotë që nuk dinte gjë. Mund t’i dërgoj të gjitha këto, nëse do të verifikosh. Edhe ai gazetari shqiptar të konfirmojë që ishte Kokona, ai që i tha: “Nuk i japim absolutisht asgjë nga ato që do, kishte kohë t’i bënte intervistat e saj”. Dhe në mbledhjet e mëngjesit e patëm thënë që do të ishte dita e fundit. Unë thjesht përsërita atë që më tha ai, madje dhe Bushi me Denisin. Për t’i dhënë mundësinë për të takuar skuadrën isha unë që e ftova “në pallone” (në top, nuk e di evenimentin që kanë pasur), për inaugurim…, por në fund isha unë, ajo që gabova. E çuditshme, vërtet e çuditshme. Doja që ti të shihje se sa orë kam punuar, se sa më është dashur të bëj gjëra nga vetja për këtë historinë tuaj të bukur, me informacionet aktive që përcolla atë ditë para se të fillonte Europiani, një moment i bukur, pasi më parë nuk kisha kurrfarë informacioni. E pranova vendimin tënd dhe nuk fola me askënd për të ruajtur qetësinë e skuadrës. Nuk iu përgjigja asnjë mesazhi, përveç atij të shefit të redaksisë së “Panorama Sport”. Ai më pyeti “çfarë thatë ju” dhe unë iu përgjigja që nuk ishte një vendim i imi dhe për këtë duhet të pyeste në federatë. Armando, e dimë mirë të dy që unë s’kam asnjë faj. Për këtë të kërkoj të sqarosh dhe informosh shtypin vetë ti dhe jo vartësit e tu me gënjeshtrat e tyre. Unë dua ta mbroj imazhin tim në Shqipëri. Përveç gënjeshtrave, historia e spiunes është absurde dhe më lëndon. Të kërkoj që t’i korrigjosh ato që janë thënë, përndryshe do ta bëj unë. Faleminderit, udhëtim të mbarë dhe paçi fat në ndeshje.

Përgjigjia e Dukës
Karin. Nuk e ka bërë këtë akuzë (për spiunim) asnjë nga federata, nuk ka folur dhe nuk do të flasim për këto gjëra. Gazetarët kanë shkruar versionin e tyre, i cili nuk është asolutisht i vërtetë. Nëse dëshironi, këtë mesazh mund t’ua shpërndani mediave./ Telesport

Share This Article
1 Comment
  • PO CFARE SPIUNE MORE AMAN.

    NUK PUNON DOT ME METODEN SHQIPETARE TE DEGJENERUA, DUKE DHENE URDHERA NE KUNDERSHTIM ME RREGULLAT, NEPERMJET TELEFONIT.

    KJO ESHTE HISTORIA, POR THUAJ CFARE JU DESH QE PRANOI NE PUNONTE NE SHQIPERI, NUK HULUMTOI PAK SI ECIN GJERAT NE SHQIPERI??!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *