Deri në këto momente, rreth 4 mijë shtetas të BE-së, i janë bashkuar organizatave terroriste në vendet në konflikt, si Siria dhe Iraku, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian. Shumica e terroristëve të përfshirë në ngjarjet e fundit në disa prej vende të Evropës, ishin qytetarë evropianë, të lindur dhe të rritur në shoqërinë evropiane. Belgjika dhe Franca të goditura së fundmi, vazhdojnë të përballen me kërcënime sistematike, por edhe me sfida për parandalimin e këtij fenomeni.
Ditën e sotme, mediat belge kanë bërë publike kërcënimin e fundit për atentate të reja. Sipas Sudpresse dhe DH, në Komisariatet e Policisë në vend është shpërndarë një Komunikatë e brendshme, ku paralajmërohet për atentate të mundshme në territorin evropian, në Belgjikë dhe në Francë. Në këtë komunikim theksohet se, rreth një javë e gjysmë më parë, disa luftëtarë në territorin sirian kanë lënë Sirinë për të ardhur në Evropë, nëpërmjet Turqisë, duke kaluar në Greqi, me anije dhe pa pasaporta.
“Këto persona janë ndarë në dy grupe, njëri për në Belgjikë dhe tjetri për në Francë, me synim kryerjen e atentateve.” Vendet e përzgjedhura figurojnë gjithashtu në komunikim : “Një qendër tregtare, një qendër ushtarake amerikane dhe një Komisariat policie”.
Komunikata mbyllet me konfirmimin se, këta persona janë tashmë në zotërim të armatimit të nevojshëm dhe aktet mund të ndodhin së shpejti. Por, informacione të tilla duket se, janë shndërruar në një rutinë për qendrën e koordinimit të analizimit të riskut terrorist OCAM, në Bruksel, e cila ka deklaruar se ky është një prej shumë informacioneve të tjera bruto, që qendra ka në zotërim dhe se niveli i alarmit do të qëndrojë në fazën 3 nga 4, që njeh vendi.
Masat evropiane
Lufta ndaj terrorizmit kërkon bashkëpunim në shkallë të gjerë. Komisioni Evropian prezantoi ditën e djeshme “masat shtesë”, që synojnë të ndihmojnë vendet anëtare në luftën parandaluese ndaj terrorizmit dhe të luftojnë radikalizmin e dhunshëm, që përgatit terrenin e përshtatshëm për të.
“Sulmet e fundit terroriste, treguan se si disa të rinj evropianë ranë në kurthin e një ideologjie, që predikon vdekjen dhe shkatërrimin, deri në thyerje të lidhjeve me familjet dhe shokët e tyre, duke u kthyer kundër shoqërisë së tyre. Ky fenomen, kërkon një përgjigje të përcaktuar të shoqërisë në tërësinë e saj, me synim parandalimin e radikalizmit dhe të shtrëngojë lidhjet, që na bashkojnë të gjithëve. BE duhet të sjellë ndihmën e tij, atje ku ai mund ta bëjë këtë”,- do të deklaronte në lidhje me këtë çështje zv. Presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.
Në logjikën e ekzekutivit evropian, përgjegjësia e luftës kundër radikalizmit të dhunshëm, që çon në terrorizëm, i takon së pari shteteve anëtare dhe aktorëve lokalë, rajonalë dhe kombëtarë. Kuadri i masave, synon ndihmë konkrete ndaj vendeve anëtare në shumë fusha veprimi, duke nisur nga promovimi i edukimit të hapur për të gjithë dhe të vlerave të përbashkëta në luftën kundër propagandës ekstremiste në internet dhe radikalizmit në mjediset e burgimit.
Po kush janë fushat specifike në të cilat bashkëpunimi në nivel evropian pritet të sjellë një vlerë të shtuar ?
Më e rëndësishmja lidhet me epokën e dixhitalizimit dhe dëmi i madh, që shkakton propaganda xhihadiste në internet. Aty ku, Kulti i Vdekjes zgjeron terren gradualisht duke mundur filozofinë e adhurimit të Kultit të Jetës. Aty ku, nëpërmjet fjalës, imazheve vezulluese dhe propagandës, vdekja është një heroizëm, pasi një jetë parajse do të fillojë mbas Vdekjes Ngadhënjyese. Aty ku jepet garanci e plotë se, kalimi nga Jeta në Vdekje do të filmohet dhe shpërndahet botërisht, duke e futur individin në qerthullin e “glorifikimit dhe heroizmit” absurd dhe garantimit të reklamimit të aktit të tij sublim. Duke i siguruar kësisoj njohje të përjetshme “heroit” të aktit.
Lufta në këtë terren, do të fokusohet ndaj propagandës terroriste në internet dhe fjalimeve apo gjuhës së urrejtjes në linjë. Do të ketë bashkëpunim me sektorin e informatikës për të bllokuar shpërndarjen e përmbajtjeve, që ngjallin dhunën, si edhe do të mbështeten përpunimet e kundër-fjalimeve pozitive nga shoqëria civile, duke zhvilluar në këtë mënyrë edhe edukimin ndaj medieve me synim që të rinjtë të mësojnë të analizojnë informacionet e ndryshme në mënyrë kritike.
Fusha e dytë, e rëndësishme për nga përmasat e fenomenit, lidhet me radikalizmin në ambientet e burgimit. Është një prej fushave më problematike, pasi shifrat në përgjithësi flasin për radikalizëm të lartë në këto ambiente. Lufta ndaj këtij lloj radikalizmi do të zhvillohet duke shkëmbyer eksperiencat mes vendeve anëtare, me synim përpunimin e linjave orientuese mbi mekanizmat dhe programet e destinuara të parandalojnë dhe të luftojnë radikalizmin në ambientet e burgimit dhe të favorizojnë ri-adaptimin dhe ri-integrimin.
Fusha e tretë, synon promovimin e një edukimi të hapur ndaj të gjithëve dhe vlerave të përbashkëta të BE-së. Çka pritet të bëhet e mundur nëpërmjet përdorimit të fondeve të programit Erasmus+, për të mbështetur projektet, që favorizojnë përfshirjen sociale, vlerat e përbashkëta dhe mirëkuptimin ndërkulturor.
Fusha e katërt, përfshin promovimin e një shoqërie të hapur gjithëpërfshirëse, që vihet në dëgjim të zërit të të rinjve, si p.sh, Komisioni do të krijojë një kuti mjetesh, që do të ndihmojnë ato që punojnë në kontakt të drejtpërdrejtë me të rinjtë, të zbulojnë radikalizmin e dhunshëm dhe të kenë mundësi të reagojnë.
Tre fushat e tjera, synojnë përforcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në përballje me sfida të ngjashme, krijimin e mjeteve konkrete, që lejojnë më mirë zbulimin në kohë të procesit të radikalizmit, si edhe dimensioni i sigurisë, që lidhet me një sërë masash mbi kërcënimet e menjëhershme dhe ato afatgjata (shkëmbimet e të dhënave, ndalimi i udhëtimit, penalizimi i qëndrimit në një vend për arsye terroriste, etj).
Terrorizmi dhe lufta ndaj tij është një prej sfidave më emergjente, që po përballet Evropa. Sfidë, që imponon përpjekje për të shkuar drejt vlerave të përbashkëta në një shoqëri që duhet të dominohet nga gjithë-përfshirja dhe integrimi. Vlera, që duhet të për-bashkohen në një pikë, për të shkatërruar adhurimin e mekanizmit vdekjeprurës dhe për të bërë të mundur besimin në ekzistencën e vlerës universale të Dashurisë për Jetën, për Vetveten dhe për të Tjerët. /DITA/
