Profil i vlonjatit të dashuruar pas… brumit

redaktor

Entela Resuli

Tri furra buke në Tiranë, njëra që ndodhet te “Rr. Fortuzi”, një tjetër te “Komuna e Parisit” dhe te “Shkolla e Baletit” i bashkon një gjë, fluksi i madh i njerëzve që presin në radhë për të marrë një… bukë.

Radhë të tilla mund t’i kemi parë 20 e kusur vite më parë, por ja që edhe në 2016 u mbaka radhë për bukë. U interesuam, për të kuptuar se çfarë i bashkon këto pika dhe mësuam se kishin të përbashkët personin që prodhon bukën. Ishte e njëjta dorë. Ai është Ardian Dalipaj, 44 vjeç.

Kërkuam të takonim këtë njeri që “ushqen” një pjesë të madhe të qytetarëve të Tiranës. Nuk ishte e lehtë të takoje këtë furrxhi, i cili në kontaktin e parë na thotë: “Mua nuk më del ditë-nata me 24 orë, do të doja të ishte më shumë. A ka mundësi të bëhet 36”- shprehet ai duke qeshur.

Ardian Dalipaj ne momente pune (2)I lindur në Vlorë dhe rritur me shumë sakrifica, tregon se nuk ka patur një fëmijëri të lehtë.

“Kur isha vogël mblidhja rigon maleve dhe i shisja. Bëja forma të çuditshme me guaska dhe lule dhe dilja në rrugë duke kërkuar të m’i blinin. Ndoshta këto janë hapat e mi të parë drejt biznesit edhe pse fëmijë atëherë. Kisha dëshirë për të qenë i pavarur dhe për të patur paratë e mia. Këto karakteristika nuk më janë shuar, por besoj janë zhvilluar dhe rritur brenda meje vit pas viti”.

Dalipaj, në fillim të viteve ‘90, kur ishte një adoleshent çapkën, i etur për liri, nuk e kishte menduar asnjëherë që e ardhmja e tij do të ishte në prodhimin e bukës. Së bashku me një grup shokësh niset nga Vlora dhe vjen drejt Tiranës për t’u larguar nga vendi me anë të Ambasadave.

Na tregon se Greqia ishte vendi i parë që shkeli. Ka provuar punë nga më të ndryshmet, por tek njëra ndaloi më gjatë duke edhe e përvetësuar; prodhimi i bukës. Tri vite punë në Greqi i dhanë atij një eksperiencë në këtë fushë, ku mësoi sekretet dhe recetat e prodhimit të saj.

Vendet e ndryshme dallojnë edhe njihen nga buka që konsumojnë.

Ardian Dalipaj ne GreqiMë pas thotë se emigroi drejt Italisë, ku punon në të njëjtën fushë. Edhe pse i kishte marrë mësimet e para, përsëri puna në furrat e Italisë i mësoi teknika dhe forma të reja, të cilat i kanë shërbyer shumë më vonë.

Secila zonë ka traditën e vet. Greqia ka një traditë buke, ndryshe nga Italia apo Shqipëria, e do bukën më të rëndë, me shumë maja. Italia ka stil tjetër, e do bukën me të lehtë, e konsumon të ftohtë. Ballkanasit e duan bukën e ngrohtë.

Dhjetë vite në emigracion ishin mjaftueshëm. Dëshira për të bërë diçka në vendin e tij, për të sjellë një teknikë të re të prodhimit të bukës, por pse jo edhe një shije të mirë, e bën Ardianin, të kthehej në Tiranë në vitin 2003 duke hapur furrën dhe dyqanin e parë të bukës, pranë rrugës Fortuzi.

Fillimet kanë qenë shumë të vështira.

“Bëja gjithçka vetëm, por ajo që shihja gjatë ditës në dyqan, njerëzit që prisnin në radhë të merrnin një bukë, me motivonte të vazhdoja rrugën që kisha nisur. Aty prodhoja, aty shisja! Kam bërë revolucion me bukën, deri atëherë këtu kishte vetëm bukë masive. Futa bukën integrale, rozetën, fokaçen, bukën me rrush të thatë, me patate. Futa bukën e fshatit, bagetën…”

Sekreti? “Brumi i ngjan femrës dhe do trajtuar në të njëjtën formë, me përkëdhelje dhe dashuri”.

Sot ai është krenar që është furrxhi, edhe pse në rininë e hershme, me mundim i prezantohej njerëzve si i tillë.

index“Jam shumë krenar që bëj këtë punë dhe akoma më tepër që njerëzit duan prodhimin që del nga mua. Buka është shumë e ndjeshme dhe politikanët e kanë shumë frikë bukën, pasi krijon reaksion. Ne e kemi ndaluar të bëjmë greva, të mbyllim qepenat. Nuk bëjmë asnjë ditë pushim, edhe pse duhet të ishte ndryshe. Megjithatë, si çdo komunitet tjetër, as furrxhinjtë nuk merren vesh tamam me njëri-tjetrin”- thotë Dalipaj për Dita-n.

Pyetjes nëse jemi një popull që konsumojmë shumë bukë, Ardi i përgjigjet: Po. Ai pranon se diçka ka ndryshuar vitet e fundit, por përsëri bukën na e kërkon stomaku, pavarësisht çdo diete që është në modë.

Personi që i qëndron pranë dhe është krahu i tij i djathtë në këtë rrugëtim me shumë se 15 vjeçar është bashkëshortja e tij, Migena.

Me qetësinë dhe respektin që ka ndaj punës, ajo ka arritur që si gjirokastrite e zonja, të menaxhojë me kujdes një pjesë të mirë të punës në dyqanet e Tiranës. Nuk ngurron të futet vetë në prodhim, por as të shfaqet në banak sa herë është nevoja për ndihmën e saj. Sot ata janë prindër të dy vajzave dhe janë të lumtur më shumë se kurrë për diçka, pasi duke e krahasuar me fëmijërinë e tyre, atyre, nuk u mungon asgjë, por minimalisht, jo buka.

Ardian Dalipaj ne momente puneArdi thotë se është një prodhues merakli dhe i kujdesshëm. Këtë do të donte të shihte edhe te konkurrentët e tij. Ai kërkon që furrat të kontrollohen për kushtet higjieno-sanitare, në mënyrë që ajo çka njerëzit fusin në stomak të jetë në maksimumin e sigurisë, pasi sipas tij, ky treg, nëse vëzhgohet me kujdes, ka probleme të mëdha në këtë drejtim.

Ai e pranon që është kërkues dhe nuk kënaqet me pak. Tani është në proces për hapjen e një tjetër dyqani i cili do përfshijë jo vetëm shitjen e bukës, por edhe kafe, apo ëmbëlsira.

Bukë falas? Kam dhënë dhe jap, por të dini një gjë, ne shqiptarëve na pëlqen shumë qyli. Nëse vërtet ka njerëz që kanë nevojë për bukë, unë e jap me shpirt, jo një, po 100 a 200 bukë. Por ama, jo të vijë tjetri të marrë bukë këtu dhe kur të dalë që këtej të shkojë të mbush kartën e celularit, apo të pijë kafe te lagjja”-thotë Dalipaj.

Kur largohesh nga Ardi, siç i thërrasin miqtë dhe ata që e njohin, të kaplon shpresa që dita do të jetë më e mirë në vazhdim, me siguri është efekti i aromës së bukës i cili ndihet në ajër, që tundon çdo kënd.

Share This Article
1 Comment
  • E kini pershkruar bukur pronarin e bukes se eshte vertet njeri puntor dhe merakli per cilesine dhe pastertine ne ambjentet ku punon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *