Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës, duke pranuar kërkesën për rikthim në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Në seancën e sotme treshja e gjyqtarëve, kryesuese Marie Qiriazi dhe anëtarë Ervin Metalla e Fiqirete Mullaj kanë hedhur poshtë vendimin e Gjykatës së Tiranës për të pezulluar nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon.
Avokati i Çakos, Maks Haxhia ka deklaruar në përfundim të seancës se, nuk kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për pezullimin e klientit të tij.
“Gjykata vlerësoi se në këtë rast nuk ka vepër penale”, ka deklaruar Haxhia.
Haki Çako u pezullua nga gjykata me kërkesë të prokurorisë, që e akuzonte për veprime të paligjshme dhe mosveprime në lidhje me rastin e pajisjes së përgjimeve.
