Lideri i të djathtës ekstreme, që drejton grupimin e tifozëve të kombëtares ruse, do të deportohet nga Franca pas dhunës në ndeshjen mes Anglisë dhe Rusisë, e vlefshme për Euro 2016.
Alexander Shprygin është mes 20 tifozëve rusë që do të deportohen.
Ai u arrestua të martën, teksa udhëtonte nga Marseja për në Lilë për të ndjekur ndeshjen mes Rusisë dhe Sllovakisë.
Arrestimi i tij solli zemërimin e Moskës, e cila thirri ambasadorin francez në shenjë proteste.
Sipas rusëve, ky veprim “vetëm sa i hedh zjarr ndjenjave anti-ruse”.
Por kush është Shprygin?
Ai ka pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe mbështetet nga Kremlini.
Sipas BBC, ai është fotografuar duke bërë përshëndetjen naziste.
Mbështetës i Dinamos së Moskës, ai ka luajtur një rol kryesor gjatë lëvizjes së tifozëve të këtij klubi në vitet ’90.
Më vonë u bashkua me një parti nacionaliste, e afërt me Kremlinin dhe u bë ndihmës i deputetit Igor Lebedev.
Ai bëri përshëndetjen naziste në një koncert të grupit metal Korrozia Metalla.
Disa këngë të këtij grupi janë ndaluar në Rusi pasi nxisin urrejtje etnike.
Më vonë ai u dënua me një vit burg pasi sulmoi këngëtarin e këtij grupi.
Shprygin e ka takuar edhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Ky i fundit e thirri Sasha në takim, çka sugjeron një shkallë familjariteti mes tyre.
Shprygin është përfshirë në oranizimet për Botërorin 2018 si pjesë e Sindikatës së Tifozëve.
Ai ka bërë thirrje që të hiqet urdhri për të mos lejuar shitjen e birrës në ambientet e Botërorit rus.




