INSTAT: Ndërmarrjet e vogla eksportuesit më të mëdhenj

Dita

Është rritur numri i ndërmarrjeve që eksportojnë, por ato mbeten kryesisht biznese të vogla dhe të mesme. Sipas një studimi të fundit të Institutit të Statistikave në harkun kohor 2012-2015, numri i ndërmarrjeve eksportuese nga kombinimi i të dhënave të tregtisë së jashtme të mallrave me regjistrin e ndërmarrjeve ka ardhur duke u rritur, por që mbeten kryesisht sipërmarrje të vogla.

Kështu numri i ndërmarrjeve eksportuese në vitin 2015, është 2.516 nga 2.036 ndërmarrje, që ishin në vitin 2012, duke u rritur me 23,6%. Sipas definicionit, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), përgjatë këtij harku kohor  zënë në grupin e ndërmarrjeve për aktivitetin eksportues, mesatarisht në vit 95,9% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej. Në vitin 2015, numri i NMVM eksportuese arriti në 2.411 ndërmarrje, duke u rritur 23,6%, krahasuar me vitin 2012, ndërsa numri i NMVM importuese arriti në 8.723, duke u rritur 20,6%, krahasuar me 2012. Në vitin 2015, sipas madhësisë së tyre, ndërmarrjet eksportuese mikro (1-9 të punësuar) zënë 43,7% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të vogla (10-49 të punësuar) zënë 36,3% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej, ndërmarrjet eksportuese të mesme (50-249 të punësuar) zënë 15,8% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej dhe ndërmarrjet eksportuese të mëdha (250+ të punësuar) zënë 3,8% të ndërmarrjeve eksportuese gjithsej.

Vendet partnere, ato të BE-së

Sa i përket dinamikës së tregjeve, për periudhën e marrë në studim, pjesën më të madhe të vlerës së eksporteve në sektorin e industrisë e zënë eksportet me vendet e BE-së. Në vitin 2015, eksportet e ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e industrisë drejt vendeve të BE zënë 80,2% të vlerës së eksporteve të këtij sektori, duke u rritur me 7,7% krahasuar me 2012. Pjesën më të madhe të këtyre eksporteve drejt vendeve të BE e zë Italia me 68,8 %. Eksportet e ndërmarrjeve të industrisë drejt vendeve anëtare të CEFTA zënë 10,3% të eksporteve të këtij sektori, duke u rritur me 2,8% krahasuar me vitin 2012.

Sektori i industrisë, eksportuesi kryesor

Sa i përket llojeve të produkteve, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e industrisë zënë pjesën më  të madhe të produkteve industriale të eksportuara. Në vitin 2015, këto ndërmarrje eksportuan 84,6% të produkteve industriale, me rritje 2,4%, krahasuar me vitin 2012; ndërsa ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë eksportuan 13,1% të këtyre produkteve, me rritje 88,9%, krahasuar me vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe produktet industriale më të eksportuara janë “Lëkurët dhe produkte prej lëkure”, “Veshjet” dhe “Produkte të metaleve bazë”. Në vitin 2015 pesha e këtyre produkteve është përkatësisht për “Lëkurët dhe produkte prej lëkure” 25,9% me rritje 29,2% ndaj vitit 2012 dhe për “Veshjet” 29,8%, me rritje 40,7% ndaj po këtij viti. Ndërsa pesha “Produkte të metaleve bazë” është 15,2 % me ulje 5,3% ndaj vitit 2012.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *