Buxheti, aty ku miu thyen kokën

anazapta

Një shprehje popullore, kur do të karakterizojë një familje me probleme dhe mungesë te ardhurash (pra, pa misër në hambar), thotë për të se “këtu bie miu dhe thyen kokën”. Kështu është katandisur buxheti ynë i shtetit sot. Ai nuk ka para. Jo vetëm për të paguar rrogat e buxhetorëve të fillimvitit 2013.

Problem i këtij buxheti nuk është vetëm borxhi i rritur publik në kufij të frikshëm. Problem i tij nuk është se nuk erdhën të 170 milionë eurot e privatizimit të dështuar të Albpetrol (20 përqindëshi me nënshkrimin e kontratës), apo as edhe 80 milionë eurot e garancisë të fituesit që nuk u bë fitues dhe talli një shtet të tërë. Problem nuk është vetëm tek 102 milionë eurot e privatizimit të katër hidrocentraleve që nuk po vijnë. Jo, ky buxhet e ka një kryeproblem. Buxheti ynë i shtetit është në një vështirësi të madhe, pasi në tre muajt e parë janar-mars nuk ka mbledhur paratë nga taksat dhe tarifat doganorë sa ishte parashikimi.

Të ardhurat fiskale janë 3.8 përqind më të ulëta, vetëm 75.5 miliardë lekë të reja. Kjo përbën shifren më të ulët që prej 2009-s dhe i dedikohet kryesisht rënies së të ardhurave nga taksa bazë, ajo e konsumit, nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Dhe ka bërë që qeveria të rrisë marrjen e borxheve. Deri në mars 2013, Ministria e Financave ka marrë 189 milionë dollarë borxh. Kjo shifër është sa 67 për qind (dy te tretat) e gjithë planit vjetor për të cilinështë autorizuar nga Parlamenti, duke vënë në dyshim financimin e defiçitit buxhetor për pjesën e mbetur të vitit. Ku do t’i gjejmë paratë, sidomos pas 23 qershorit 2013?

Është një pyetje që duhet t’u rrije çekan në kokë atyre që vendosin sot për politikën financiare dhe monetare të Shtetit. Pse me këtë politikë të papërgjegjshme ekonomike dhe financiare po rrezikojnë t’i mbysin sipërmarrjes së lirë iniciativën për investime. Frymëmarrja e ekonomisë është e lidhur jo vetëm me politikat fiskale dhe buxhetore, por edhe më politikat monetare. Ajo është gjithashtu e lidhur me funksionimin e ekonomisë së tregut, frymën e zbatimit të ligjit, respektimin e titujve të pronësisë, funksionimin e sistemit gjyqësor, përmirësimin e sistemit arsimor dhe atë shëndetësor etj., etj.

Buxheti i vitit 2013, për nga mënyra se si është përgatitur dhe sidomos se si po zbatohet, jep fotografinë e situatës së turbullt të ekonomisë dhe vendit tonë në tërësi. Eshtë dhe treguesi që vështirësitë që kemi përpara janë më të mëdha se ato që kemi kaluar. Parashikimi i një rritjeje ekonomike në nivelin 2 apo 3 përqind të Produktit të Përgjithshëm Bruto të vendit është nga njëra anë jorealist, sepse mund dhe do të jetë dhe më i ulët se aq, por edhe një tregues i mjaftueshëm për stanjacionin dhe krizën që ka përfshirë vendin. Parashikimi i një rritjeje ekonomike në nivelin 2 apo 3% të PBB-së është nga njëra anë jorealist, sepse mund të jetë dhe më e ulët se aq, por edhe një tregues i mjaftueshëm për stanjacionin dhe krizën që ka përfshirë vendin. Problem mbetet edhe mungesa e marrëdhënieve likuide ndërmjet bizneseve, si dhe rritja e shpejtë dhe ajo në kufij të skajshëm të kredive të pakthyera në sistemin bankar, faktor i cili ka ulur ndjeshëm edhe mundësitë kredituese të sistemit bankar për efekt të riskut të shtuar në ekonomi.

Parë në tërësi, oferta e këtij buxheti nuk është e mjaftueshme për të injektuar në ekonomi stimulues të mjaftueshëm për të ndikuar në gjallërimin e saj. Situata pritet të përkeqësohet jo vetëm prej gjendjes së vështirë ekonomike, por edhe prej fushatës elektorale dhe shpenzimeve pa hesap që qeveria ka nisur të bëjë në investimet publike. Prandaj dhe ky buxhet, me perspektivën konfuze që do të korrigjohet sërisht rrugës, me të ardhurat që po i tkurren dhe me nevojën vrastare të qeverisë për shpenzime zgjedhore, i ngjan jo pak buxhetit dhe të mirave të një familjeje në vështirësi të theksuar financiare, për të cilën populli thotë se bie miu dhe thyen kokën.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *