Drejt legalizimit dhe objektet e ndërtuara pas 2006-s

anazapta

Qytetarët që kanë ndërtuar banesa pa leje pas vitit 2006, do të mund t’i legalizojnë ato edhe pse ky projekt i qeverisë vjen në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë i paraqitur në formën e një projektligji dhe që është diskutuar dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Ky projekt ka në thelb legalizimin dhe të atyre kategori ndërtimesh që janë në distancë të afërt me akset rrugore kombëtare. Me ligjin aktual, ndërtimet që janë në distancë më pak se 100 m nga rrugët kombëtare nuk legalizohen, ndërsa ndryshimet parashikojnë shkurtimin e kësaj distance në 25-30 metra. Është kjo pikë që me të drejtë ka ngjalllur reagimin e deputetëve të opozitës në komision. Sipas kreut të ALUIZN-it, Ardian Kollozi projektligji legalizon pothuajse gjysmën e Shqipërisë që aktualisht është informale. Ndërkaq, këto ndryshime kanë shkaktuar pakënqësi në radhët e opozitës, sipas të cilëve ky legalizim masiv ka faturë të lartë financiare, pasi nëse parashikohet zgjerim rruge, shpronësimet do të kenë koston më të madhe. Sipas këshilltarit të kryeministrit për territorin, Flamur Kuçi, projektligji heq nocionin për akset kombëtare, që ekziston aktualisht. Ndërsa, deputeti socialist Eduard Shalsi e ka cilësuar draftin në fjalë si tallje me qytetarët shqiptarë pasi sipas tij, bëhet për efekte elektorale. Në fund të diskutimeve deputetët kanë miratuar në parim projektligjin i cili parashikon ti japë fund njëherë e mirë procesit të ndërtimeve informale në vend. Aktualisht janë deklaruar nga vetë qytetarët rreth 270 mijë ndërtime informale, ndërsa pritet të nisë forografimi ajror për rreth 80 mjë ndërtime, të evidentuara nga Banka Botërore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *