Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka nisur mbledhjen e radhës pa praninë e deputetëve të opozitës.
Mbledhja pason atë të fundit në të cilat komisioni miratoi draftin nen për nen, pa pikat për të cilat nuk ishte arritur një konsensus me opozitën.
Mësohet se në mbledhjen e sotme po vijon diskutimi i neneve të mbetura, pikërisht i atyre për të cilën opozita braktisi mbledhjen dhe nuk dha dakordësinë e saj.
Dihen tashmë pikat që mbajnë ‘peng’ konsensusin mes shumicës dhe opozitës, të ashtuquajturat “vendet e rezervuara” dhe debati i madh për rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për të cilin PD-ja nuk lëshon pe.
Kreu i qeverisë, e përcaktoi si vijë të kuqe, atë që nuk do e pranojë kurrë ta kalojë, duke e theksuar si vijën e BE dhe SHBA-së, pikërisht çështjen e vetingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Në fundjavë, kreu i PD-së, Basha, e quajti futjen e draftit të Reformës në Kuvend, një provokim dhe kërcënoi Ramën me djegie mandatesh nëse tenton të trafikojë votat.
