Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i pranishëm në takimin e 35-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit, ka ndarë përvojën e vendit tonë në drejtim të ruajtjes së qëndrueshmërisë financiare, çështje kjo e cila përbën një interes të veçantë nga këndvështrimi i sfidave me të cilat po përballen bankat qendrore sot.
I zhvilluar në Almaty, Kazakistan, në datat 16-18 qershor 2016, ky takim drejtohej nga Guvernatori i Bankës Kombëtare të Kazakistanit, z. Akishev Daniyar Talgatovich dhe në të merrnin pjesë drejtuesit e bankave qendrore të 24 vendeve anëtare të Klubit. Fokusi kryesor i diskutimeve të këtij takimi ishte roli i bankave qendrore në garantimin e stabilitetit makroekonomik e financiar të vendeve.
Takimi shërbeu gjithashtu si një platformë diskutimi për të shkëmbyer ide mbi rolin e politikës monetare pas krizës së fundit, ku të gjitha ekonomitë në rajon po luftojnë me pasojat e saj si dhe pjesa më e madhe e tyre po përpiqen (janë angazhuar) për rigjallërimin e ekonomisë.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, gjatë këtij takimi mbajti një prezantim për të pranishmit, ku i njohu ata me zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë, për të stimuluar aktivitetin ekonomik të vendit.
Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.
Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia dhe Sllovenia.
Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.
