1. Në kërkim të së vërtetës
Në kërkim të së vërtetës,
kot e gjithë përpjekja,
unë në emër i flas jetës,
më përgjigjet vdekja.
Më fton vdekja që të zgjedh,
heshtjen a litarin,
unë i kundërt jam me heshtjen,
si uji me zjarrin.
Re të zeza porsi nata,
ma kanë fshehur diellin,
unë i largët jam me natën,
si toka me qiellin.
Re të zeza porsi nata,
ma kanë veshur ballin,
unë i kundërt jam me natën,
si Krishti me Djallin.
Jetën krejt ma kanë shkallmuar,
veç nga fjalë e hidhur,
jam në botën e shkalluar,
Promethe i Lidhur.
S’janë asgjë të gjitha humbjet,
sa s’ke humbur nderin,
në parajsë jetojnë mumjet,
unë kam zgjedhur ferrin.
Tallin Sokratin e Varfër,
derrat e kënaqur,
dhe trashin shtresën e dhjamit,
në llum të zgërlaqur.
Në kërkim të së vërtetës,
paqe s’ka me horrat,
digjem si zjarr’ i Kometës,
të bëj dritë për qorrat.
Në kërkim të së vërtetës,
s’më lodh kurrë përpjekja,
ndaj në emër i flas jetës,
të tromakset vdekja.
Në një kohë kaq të sertë,
veten time njoha,
një statujë të mermertë,
do ma gdhendi koha.
Tiranë, 1995
2. Njeriu i Tokës
Eja-më tha Zoti,
eja biri im,
në një botë të largët,
nisu me shërbim.
Me një kalë të artë,
u nisa në qiell,
prapa errësirë,
përpara kam diell.
Miliona vite,
toka prapa mbetet,
me bishtin e kalit,
fik e ndez planetet.
Veten nëpër qiej,
e ndjej si profet,
se bir më ka zgjedhur,
Perëndia vetë.
Nëpër Univers,
s’e di se ç’më pret,
kali mbajti frymën,
përmbi një planet.
Që ish i mbuluar,
krejt nga errësira,
dhe rriste në pyje,
bisha-egërsira.
Njëlloj s Adami,
kur filloi në Tokë,
dhe unë isha vetëm,
pa miq e pa shokë.
Diç kemi dëgjuar,
edhe ne për Tokën,
thanë bishat e egra,
edhe ulën kokën.
Eja-ti je yni,
o njeri i parë,
kemi njëmijë shekuj,
pa një kryetar…
Ç’më bëre-o Zot?!
Më fute në thekër,
dhe nga egërsirat,
qenkam më i egër!
25.01.1997
