Një natë gjuetie për një peshk!

anazapta

“Një natë për të kapur një peshk. Tre ditë për të peshkuar një kilogram peshk”. Ky është epilogu i një gjuetie të pafat në bregdetin e Gjirit të Lalëzit. Një peshkatar nga fshati Kullë, i cili e ka pasion gjuetinë në det të peshkut e gjejmë në fundjavë duke tërhequr rrjetat e hedhura gjatë natës në bregun e fshatit Shën Pjetër të komunës së Ishmit.

Ai gjuan me kostum gome në breg të detit. Është i mbërthyer deri në fyt me kostum special, që e ruan nga lagështia dhe të ftohtit kur gjuan. Pasi ka tërhequr rrjetat nga bregu ai ndihet i zhgënjyer, por nuk e jep veten. E pyesim se si është kjo periudhë peshkimi, ai thotë se ka peshk, por kjo është pjesë e riskut të tij. I tërheq rrjetat me shumë kujdes, por ato janë çuditërisht të pastra.

E vetmja gjë që peshkatari nuk e do kurrë. Thjesht sepse në to nuk ka peshk.

Nga fundi në rrjetë duket një peshk i vogël, i llojit levrek rreth 100 gramë. Peshku është mjaft cilësor pasi tipi levrek është mjaft i kërkuar në tavolinat e turistëve dhe të vendasve, por një sasi e tillë mjaft e vogël nuk kënaq asnjë njeri.

Peshkatari thotë se zona është e pasur me peshk sidomos e llojit levrek dhe spalcë, por ky ishte këtë rast fati i tij. Ai kishte rreth 3 netë që po gjuante në këtë zonë dhe kur e pyesim se sa ka qenë sasia e peshkut të kapur, ai thotë se gjuetinë e peshkut e ka pasion, dhe jo mënyrë jetese. Dhe ky pasion nuk e ka kënaqur edhe aq shumë.

Duket njeri i qetë dhe modest. Nuk mburret me shifra të mëdha gjuetie. Fati i peshkatarit nuk e ka ndihmuar ditët e fundit. Para se të vinte këtu, ai kishte qenë disa ditë edhe në grykëderdhje të lumit Ishëm. Po edhe që atje ai ishte larguar i zhgënjyer. Nuk kishte peshk.

Jo se nuk ka, por siç thanë edhe peshkatarët e tjerë vendas, por edhe banorë të Shën Pjetrit, në zonë gjuhet shumë me dinamit. Dhe kjo gjë e ka dëmtuar shumë peshkimin për ata që gjuajnë ndershmërisht.

Vetëm sot, thanë disa prej tyre, ka pasur rreth 20 plasje dinamiti në det. Kjo shkakton katastrofa në këtë gjueti, pasi dëmton habitatet e rritjes dhe zhvillimit të rasateve të peshkut.

“Në derdhje të lumit të Ishmit ishte katastrofë, thotë peshkatari me zë të qetë, pasi me sa duket ishte i pajtuar me fatin e tij të këtyre diteve.

Quhet Mandi Tafili me origjinë nga Përmeti dhe banon në fshatin Kullë. Ka një makinë tip Volskvagen të kuqe me të cilën lëviz dhe gjuan, por edhe bën plazh.

“Shpeshherë marr edhe fëmijët me vete”, thotë ai. Tregon se tre vite më parë ka pasur një rast peshkimi që nuk u përsërit më. Nuk arrin ta shpjegojë se si peshku që kërkon ta gjuejë me rrjetë arrihet të gjuhet edhe në breg, pa mjet peshkimi.

“Ishte mbushur i gjithë bregu me peshk, – kujton ai, – dhe dallohej sepse kërcente lart e mund të kapej lehtësisht me dorë. Ka qenë një gjueti e rrallë që s’besoj të ketë me të dytë. Kam arritur të zë rreth 400 kg peshk mjaft të madh. Pesha e secilit shkonte mbi 1 – 2 kg. Madje ka pasur edhe kokrra që peshonin mbi 3 kg”.

Duke tërhequr rrjetat, ai tërheq vëmendjen e shumë fëmijëve në breg, të cilët bëhen kuriozë dhe ndjekin me kërshëri tërë procesionin e tërheqjes dhe pastrimit të tyre. Rrjeta e lagur del nga ujërat e bregut dhe mblidhet në një arkë të gjelbër që duhet të jetë arkë birrë, por që ka ndërruar funksionin. Po arka mbushet vetëm me pjesë të boshatisur të rrjetës ose tratës, siç edhe e quajnë peshkatarët. Dhe në fytyrat e tyre duket keqardhja kur fruti i një nate gjuetie është thuajse asgjë para tërë atij mundimi dhe pagjumësie, mes ankthit dhe shpresës se çfarë do të bjerë në rrjeta.

Dhe finalja është e tëra një zero 100-gramëshe. Po peshkatari besnik ndaj pasionit të gjuetarit dhe shpresës që është karakteristikë e këtij lloji, thotë se do të rrijë edhe një natë tjetër.

“Era që po fryn sot, besoj se do të sjellë peshk”, thotë ai me shpresë…

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *