Shitje dhe vetëm shitje. Ka qenë një ditë e zezë për bursat dhe tregjet financiare, e premtja që pasoi vendimin e britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Bursa e Milanos ka dalë më e tronditura, me humbje që ia kalojnë edhe 11 shtatorit 2001, kur u goditën Kullat Binjake në Nju-Jork.
Këmbimet në Milano janë mbyllur me një tërmet të vërtetë, ku indeksi MIB ra me 12,4 %.
Edhe bursat e tjera e mbyllën javën në ulje të ndjeshme, ndërsa për çudi këmbimet në Londër kanë qenë më të përmbajtura. Indeksi “FTSE 100” ra me vetëm 2,76 %, ndërsa Londra përfitoi përkohësisht edhe nga zhvlerësimi i stërlinës me rreth 9 %, duke u fiksuar në kuotën 1, 25 ndaj euros. Bursa e Parisit ra 7,9 %, Frankfurti 6,7 % dhe Madridi 12,2 %.
