Ishte një ndeshje yjesh që u vendos vetëm nga një episod në minutat e fundit të shtesës 30 minutëshe. Gjuajtja e Cristiano Ronaldos devijohet nga portieri dhe është Quaresma në vendin dhe në kohën e duhur për të shtyrë drejt rrjetës sferën që tashmë i ka dhënë kualifikimin “Luzitanëve” për në fazën e 1/8-ave, ku do të përballen me Poloninë e Levandovskit.
Ndeshje e dyluftuar nga të dyja krahët, ndërsa yjet që kishin këto skuadra nuk e merituan që të dilnin nga kjo garë kaq shpejtë. Bëhet fjalë për Modriç, Perisiç, Kaliniç, Mandzukiç & Co., të cilët janë jo vetëm yje të Kroacisë, por edhe të futbollit europian e atij botëror.
Ndërsa fati ishte me Ronaldon, i cili e udhëhoqi si një lider i vërtetë skuadrën deri në minutën e fundit, ku edhe asistoi për golin e shënuar nga Quaresma.
Portugalia reziston 116 minuta dhe arrin të godasë në momentin më të mirë të Kroacisë duke arritur një kualifikim të vuajtur mes 8 më të mirëve të kontinentit.
Skuadra luzitane iu fal këmbëve të Quaresmas 4 minuta nga fundi i kohëve shtesë për të kaluar 1-0 Kroacinë që i jep lamtumirën europianit pas një takimi ku gjithçka ndodhi në 30 minutat e kohës shtesë. Një ndeshje shahu, metër për metër, top për top, me asnjë goditje në portë gjatë 90 minutave të rregullta, shumë faulle dhe aspak fantazi mes dy skuadrave që preferuan më shumë të mos pësonin, në pritje të hapit të gabuar të kundërshtarit.
Portugalia zbriti në fushë me formacionin tipik të ndeshjeve të fundit ku mungesa e madhe ishte Joao Moutinho, ndërsa Kroacia prezantoi gjithë arsenalin e rëndë ku Mandzukic u rreshtua i vetëm në sulm.
