Në thelb, politika është ciklike. Qeveritë ikin e vijnë, e bashkë me to ndyshojnë edhe politikë-bërja, interesat dhe strategjitë politike. Por, që shteti dhe demokracia të funksionojnë duhet që disa institucione të ruajnë pavarësinë e tyre prej këtyre cikleve. Kësisoj, në politikë veprohet gjithmonë brenda një marrëdhënieje dialektike mes përfitimeve afat-shkurtëra dhe përkushtimeve afat-gjata. Nga njëra anë janë partite politike që veprojnë përherë në dimensionin afat-shkurtër dukeqenë se synimi i tyre parësor është fitimi i zgjedhjeve. Nga ana tjetër është as më shumë e as më pak por demokracia. Ose, me fjalë të tjera, janë institucionet e pavarura që duhet të zbusin sa më shumë që të jetë e mundur ristrukturimin gjithësor që buron prej cikleve poltike – shkurt, shteti pa pushtetin.
Tek kjo dialektikë zë fill një rrezik i madh që i kanoset demokracisë, pasi kur partitë politike janë në qeveri e ndodhen përballë zgjedhjeve janë dukshëm të gatshme për të cënuar çdo institucion vetëm e vetëm që të rizgjidhen. Rritja e inflacionit në prag të zgjedhjeve për t’i bërë votuesit të besojnë se kanë më shumë para e se qeveria po i bën gjërat mire është një nga arsyet themelore se pse Bankat Qendrore kudo në botë kanë një pavarësi të tejskajshme nga qeveria.
Nën këtë optikë duhet parë edhe ajo që ndodhi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Për një përfitim momental, pozita i hoqi ngrehinës së demokracisë shqiptare një nga gurët e saj të themelit – garancinë e zgjedhjeve të lira – dhe tregoi faqe botës se i mungon krejtësisht përkushtimi për të ndërtuar institucione të pavarura. Argumenti se në KQZ u prish balanca politike dhe se opozita nuk mund të jetë përgjegjëse për zgjedhjet kur zgjedhjet organizohen nga qeveria është kryekëput i gabuar. Së pari, kur garojnë dy palë nuk ka sesi që njëra prej tyre të jetë edhe arbitër. Për zgjedhjet nuk ka, dhe nuk duhet të ketë përgjegjësi as qeveria e as opozita, por vetëm KQZ-ja. Rrjedhimisht, argumenti se KQZ-ja u ç’ekuilibrua e duhet rivendosur në ekuilibër për hir të demokracisë tregon pikërisht atë që synon të fshehë, që KQZ-ja ka qenë dhe është e njëanëshme dhe që Berisha do me çdo kusht që ta ketë në anën e tij. Legjitimiteti afat-gjatë i KQZ-së, e prej këtu edhe përkushtimi ndaj demokratizimit të vendit, u bë kurban i babëzisë afat-shkurtër të Berishës.
Në këtë det mosarsyeje vetëm një gjë mund të justifikohet si e logjikshme, fakti që partitë politike kanë frikë se mos institucionet bien në dorë të kundërshtarëve të tyre e pastaj keqpërdoren. “Kapja” e KQZ-së jep benefitë të mëdha, dhe mjafton ndërmendja e emrit të Ristanit për të vërtetuar se sa legjitime është kjo frikë. Zig-zaget e politikës në Shqipëri këto vite kanë treguar se mosbesimi i ndërsjelltë ka shkaktuar ngërçe që kanë patur pasoja për demokracinë. Nëse ngërçi i tanishëm do të ketë apo jo pasoja negative për vendin do të varet nga rrugët që do të ndjekin palët e përfshira, të cilat janë si zakonisht dy.
Rruga e parë është ajo më e lehta, dhe njëkohësisht më e rrahura këto vite. Në rast se përqëndrohen mbi përfitimet afat-shkurtëra, palët që garojnë do të mundohen sërish me mish e me shpirt që të “kapin” të parët KQZ-në. Është e qartë se kjo është rruga e preferuar e Partisë Demokratike, për arsyen e thjeshtë se dukeqenë në qeveri ajo e ka shumë më të lehtë që ta fuse nën sqetull KQZ-në. Por, edhe pse kjo rrugë është në interesin afat-shkurtër të PD-së, në terma afat-gjata gjërat ndryshojnë pasi Partia Socialiste kur të vijë në qeverisje mund të bëjë pikërisht të njëjten gjë. (Pa harruar këtu që çmimin më të lartë nuk e paguan asnjë nga partite politike, por e paguan demokracia në vend).
Në këtë mënyrë, arrijmë tek rruga e dytë, e cila është jo vetëm në interesin afat-gjatë të të dyja partive, por edhe më e mira për vendin. Nëse palët do të sillen në mënyrë racionale, frikës se mos KQZ-ja uzurpohet nga pala tjetër, nuk duhet t’i përgjigjen me orvatjen për ta shtënë ata të parët në dorë, por duke “i vënë drynin” KQZ-së e duke e bërë të pavarur nga secili prej tyre. Më fjalë të tjera, të bien dakord që normën “ose une, ose ti” ta zëvëndësojnë me “as unë, as ti”, e të garojnë ashtu siç duhet garuar për votën e qytetarëve.
Pavarësia e KQZ-së do të tregonte përkushtimin e partive për të lexuar drejtë vullnetin e votuesve, duke vendosur kështu premisat për zhvillimin e një demokracie afat-gjatë, e rrjedhimisht integrimin në BE. Por, që kjo të ndodhë duhet që të dyja forcat politike të veprojnë me racionalitet, pasi një KQZ e paanëshme do të ishte në interesin e të gjithëve. Deri më tani kjo nuk ka ndodhur, dhe nuk ka gjasa të ndodhë edhe tani, për sa kohë që njëra nga palët udhëhiqet nga një individ që se di kuptimin e fjalës racionalitet, dhe është krejtësisht i kapluar nga instinkti për pushtet.

gjithe kjo permbajtje, demokracia eshte per njerez qe e pranojne dhe e duan,edhe pse ndodh e kunderta tek ne, skemi pse te trishtohemi,nuk eshte fundi i botes per shqiptarin qe ka vuajtur shume dhe po vuan akoma,problem eshte per ata qe e duan patjeter per te rruajtur ndonje cope dhe i bie qe ti votojme patjeter
Na mbyten “mercenaret” e Skraparit, kudo jane keta, ne skandale ne qeveri, ne gazeta si artikullshkrues, ne TV si analiste. Dikur zbriten nga malet dhe mbajten diktaturen e Dulles ne kembe, tani korrupsionin e vjedhjen.