Partia Socialiste ka reaguar paraditen e së hënës në lidhje me denoncimin e Taulant Ballës, për një sulm fizik të kryer ndaj tij nga Argita dhe Jamarbër Malltezi, duke e cilësuar atë një sulm politik për shkak të qëndrimeve të deputetit kundër korrupsionit dhe krimit.
“Goditja e rëndë fizike ndaj Taulant Ballës ka qenë e parapërgatitur, e pabesë dhe e kryer në një koshiencë të plotë si pjesë e një lufte ndër vite të familjes Berisha-Malltezi me Ballën. Goditjen e Ballës ne e konsiderojmë një goditje ndaj gjithë grupit parlamentar të PS për të penguar rrugën e reformave ku jemi përfshirë”, ka deklaruar deputeti Alfred Peza.
Në emër të PS, Peza i ka bërë thirrje Kuvendit që të dënojë me ashpërsinë që meriton këtë akt të rëndë ndaj punonjësit të tij dhe që palët ta kthejnë luftën politike në rrugën e arsyes.
Gjithashtu, “PS bën thirrje që policia dhe prokuroria të angazhohen, në bashkëpunim me agjencitë policore italiane, në një hetim për t’i shkuar deri në fund së vërtetës dhe për t’i dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”, ka shtuar Peza.
