Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi vijoi të hënën me diskutimin e paketës ligjore, e nevojshme për të bërë të zbatueshëm draftin e ndryshimeve kushtetuese.
Anëtarja e komisionit, Vasilika Hysi, tha se për miratimin e draftit te reformës do të arrihet afati i vendosur, që është 15 korriku.
Mbledhja e sotme diskutoi pr/ligjin ”Për sistemin gjyqësor”, ku ekspertët kanë lënë hapur disa çështje që lidhen me statusin ligjor te gjyqtareve, dhe më pas drafti do të miratohet.
Besoj se ne do të arrijmë afatin e vendosur që është 15 korriku. Komisioni i posaçëm vepron sipas rregullores. Ne kemi miratuar një kalendar, do të respektojmë vendimin e Kuvendit dhe po punojmë për të përmbushur dhe afatet e miratuara në kalendar, u shpreh Hysi.
Duke u ndalur në ndryshimet e bëra në pr/ligjin ‘Për gjyqësorin’, deputetja Hysi sqaroi se mbledhja u shoqërua me debate sa i përket profesionalizmit të gjyqtarëve, statusit të administratës gjyqësore dhe drejtimit te gjykatave, tashme jo më nga një person, por nga këshilli gjyqësor.
“Kemi futur rregulla të reja e status të ri. Për punonjësit e administratës do të ketë status civil gjyqësor, pasi kështu do të kemi punonjës më të kualifikuar”, tha ajo.
Sa i takon kompetencës së gjykatave, ligji i ri i jep fund drejtimit të gjykatës nga kreu i saj, pasi tashmë ate do e drejtojë një këshill gjyqësor, shtoi Hysi.
