Kuksianët në kërkim të një kryetari

redaktor

Kuksianët janë vënë në kërkim të një kryetari. Ose të paktën të një nënkryetari. “Jemi lodhur, por s’po e gjejmë”, – na thonë kuksianët, sa herë i takojmë. Dhe ja çfarë në treguan vetë kuksianët.

Zgjedhjet e kaluara lokale, fitoi kandidati i PD-së. “Nuk është faji ynë. E majta te ne kandidoi ish kryetarin e PD-së që  ne e kishim kryetar në dy mandate”, – u justifikuan kuksianët. E këto ditë sikur u dhanë të drejtë kuksianëve. Ish kryetari është në arrest shtëpie. Shumë prej kuksianëve që më parë ishin  në punë, tani jo vetëm janë të papunë, por panë me çudi se pagën kishin marrë, po të siguruar nuk ishin. Ende nuk e dinë se ku kanë shkuar paratë e tyre të sigurimeve.

Nejse, kuksianët kanë edhe halle të tjera. Veçanërisht nëpër fshatra, ku mjerimi është ulur këmbëkryq. Dhe shkojnë në bashki të takojnë kryetarin e ri. Te dera i presin policët, edhe në katin e dytë janë policët që vëzhgojnë çdo lëvizje.

Kuksianët të çuditur largohen pa zgjidhur ndonjë hall. Kryetarin as nuk bëhet fjalë ta takojnë ndonjëherë. Bile as ta shohin nëpër rrugët e qytetit. “Të paktën  Hasanin (ish kryetarin) e shihnim çdo ditë rrugëve edhe pse pak probleme  na  zgjidhte”, – thonë kuksianët.

“Mirë kryetari është nga Tirana dhe nuk vjen çdo ditë, po nënkryetarin pse nuk e takoni”, – i pyesim kuksianët.

Eh, thonë kuksianët, edhe nënkryetari është nga Tirana, bile edhe disa prej punonjësve kryesorë të bashkisë. Pra, punonjësit e bashkisë i kemi ose nga Tirana, ose nga fshati Shtiqën, që është vendlindja e  kryetarit. Dhe kështu, kuksianët vijnë t’i kërkojnë drejtuesit në Tiranë dhe ikin duarbosh. E dinë se me ta, politikanët e zgjebosur dinë vetëm  të tallen. Ndaj cdo ditë kush mundet, ikën nga Kukësi, ku të mundet. Aq sa në Londër tashmë kanë ngritur lagjen e tyre; lagjja Kukësi. Kështu edhe në Amerikë, edhe në Gjermani, edhe në …

 

Në vend të një fejtoni

Nga Ilirian Demiri

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *