Bashkimi Europian do të vijojë mbajtjen e samitit në Bruksel, por për të herë në 40 vite pa përfaqësues të Britanisë së Madhe. Krerët e 27 vendeve të mbetura do të mblidhen sot për të diskutuar mbi të ardhmen e unionit pas Brexit, por kanë lënë ‘jashtë porte’ Britaninë.
Ditën e djeshme, David Cameron u tha zyrtarëve Europianë se pavarësisht vendimit për të lënë BE , bashkëpunimi tregtar do të ishte jetik për britanikët.
E mesa duket takimi i së martës në Bruksel do të ishte edhe i fundit për Cameronin, pasi ai ka njoftuar edhe dorëheqjen si Kryeministër i britanisë në muajin tetor.
Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje jo vetëm për respektimin e rezultatit të votimit, por ripërsëriti edhe kërkesën ndaj Britanisë që të ‘qartësojë veten’ dhe ta lërë unionin sa më shpejt të jetë e mundur.
“Të gjithë ne ndiejmë keqardhje për rezultatin e referendumit dhe e kemi bërë të qartë tashmë se procedurat ligjore duhet të nisin me thirrjen e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës nga Britania”, tha ajo.
Cameron tha gjithashtu se Britania do ti ruajë lidhjet me Europën, por emigracioni ka qenë një “shqetësim i madh” mes votuesve britanikë, por politikanët gjermanë këmbëngulën se Britania nuk mund të “zgjedhë dhe të lërë sipas qejfit” aspekte të ndryshme në BE.
