Ndërkombëtarët prej ditësh kanë shtuar presionet ndaj politikës shqiptare për miratimin e reformës në Drejtësi.
Por Arben Çuko, anëtari socialist i Komisionit të Sigurisë, pret që ky presion të shtohet deri më 21 korrik, raporton Ora News.
Çuko: Mendoj që ky presion do të shtohet në 20 ditët e ardhshme. Ndërkombëtarët tashmë janë të bindur që zhvillimin real të Shqipërisë, shoqërisë shqiptare, të shtetit shqiptar e mban peng sistemi i sotëm i drejtësisë.
Përfaqësuesi i mazhorancës u shpreh optimist për votimin, pasi vlerëson se tashmë ngërçi i vetëm është ai mes lidershipit të Partisë Demokratike dhe ndërkombëtarëve, e veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Çuko: Nuk ka ngërç tashmë midis mazhorancës, opozitës dhe ndërkombëtarëve. Ngërçi tashmë ekziston midis Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe ndërkombëtarëve dhe konkretisht amerikanëve.
Dhe një votë kundër reformës në drejtësi, sipas Çukos do ta çonte PD drejt rrënimit si parti dhe shndërrimit në një grup njerëzish antiamerikanë.
Çuko: Nëse ata do të votojnë kundër kësaj reforme do ta çojnë veten drejt rrënimit si parti, kthimin e PD në një grusht të vogël njerëzish antiamerikanë.
Anëtari i Komisionit të Sigurisë mbrojti ligjin për kamerat e sigurisë, duke marrë si shembull edhe sulmin në aeroportin e Stambollit.
Çuko: Si do ta merrnim vesh ne, ta shikonim atentatin në Stamboll po të mos ishin kamerat e sigurisë në aeroport?Këto janë masa shtesë sigurie të domosdoshme për të rritur nivelin e sigurisë.Në Komision u diskutua kostoja, por Roma nuk është ndërtuar për një ditë.
