Imazhi pozitiv që kombëtarja shqiptare e futbollit la në Europë dhe botë gjatë Euro 2016-s, mund të konsiderohet si një nga reklamat më të mira të Shqipërisë. Sporti është ambasadori më i mirë i një vendi dhe zëvendësministri i Sporteve, Rauf Dimraj, në një intervistë për gazetën “Shqip” tregon planin e qeverisë që të prodhojë sa më shumë sportistë të talentuar. Gjithashtu, ai flet edhe për luftën që vendi ynë i ka shpallur obezitetit. Pas dy vite përpjekjesh, situata është mjaft pozitive, pasi niveli i obezitetit te nxënësit e shkollave është 0.61%, si asnjë shtet tjetër në kontinentin e vjetër.
Shqipëria dha një imazh shumë pozitiv në botë falë kombëtares, duke treguar se sporti është ambasadori më i mirë. Çfarë po bëhet me sportet e tjera?
Rezultatet dhe imazhi i ekipit kombëtar të futbollit, të drejtuar me mjeshtëri profesionale nga trajneri De Biazi, janë arritja më e shquar e shqiptarëve deri më sot. Pastaj, së bashku me shfaqjet e tifozerisë sonë, përbëjnë një monument kulture, jo vetëm për vendin tonë. Por rezultatet e sporteve të tjera, lënë shumë për të dëshiruar. Por ne mund ta ndryshojmë këtë situatë. Përmbysja dhe korrigjimi i kësaj tabloje, e ka pikënisjen vetëm nëpërmjet matjeve të cilësive fizike-atletike, domethënë, nëpërmjet vlerësimeve fizike, funksionale fiziologjike, për çdo sportist të çdo ekipi, përfshirë dhe ato të futbollit në klubet tona. Pothuajse kudo nuk bëhen këto matje, e si rrjedhojë llogaritja e ngarkesave dhe programet stërvitore, bëhen me hamendje. Kjo mangësi thelbësore përveç mosarritjes së rezultateve cilësore, ndikon te shëndeti i sportistëve dhe ka pasoja ekonomike. Keni rastin më konkret, Islandën. Një popull i vogël me vetëm 323 mijë banorë, po i habit të gjithë në europian. Si arriti deri këtu? Vetëm falë vullnetit e punës bashkëpunuese, me staf, që bazohet mbi testime të individualizuara e metodologji të përshtatshme shkencore, që llogarisin zhvillimin e ngarkesave stërvitore, volumin, intensitetin, shpenzimin energjetik e biokimik, e si rrjedhojë sigurohet një riaftësim i garantuar i lodhjeve, e që fuqizon me shpejtësi, potencialin lëvizor në fushë, për çdo lojtar.
Kryeministri Rama u angazhua shumë për kombëtaren këtë europian, ku pati reagime pozitive dhe negative. Si ishte reagimi këtu në ministri për këtë interesim?
Mbështetja e Kryeministrit Rama, e ka nxitjen nga fakti se është i vetmi Kryeministër shqiptar, që ka qenë sportist i ekipit kombëtar, status shumë i privilegjuar, e ai e ka ndier rëndësinë që ka motivimi dhe mbështetja psikologjike e sportistëve, për të arritur suksese sportive kombëtare e ndërkombëtare. Motivimi i sportistëve, mund të rrisë deri në 40% rendimentin fizik gjatë aktivizimit të tyre. Kështu argumentojnë shkencat sociale të lëvizjes fizike dhe po kështu konfirmohet edhe nga kontributi shembullor e maksimal, që dha tifozeria shqiptare në Francë, për të gjitha ndeshjet e ekipit tonë përfaqësues. Për ne është diçka shumë pozitive që të kemi mbështetje nga kreu i ekzekutivit. Kujtoj që Kryeministri në muajin gusht 2014, asistoi përgjatë dy orëve, në mësimin teorik dhe praktik të lëndës së edukimit fizik, në Vlorë. Kjo pjesëmarrje, ngjalli jo keqinterpretime, por kudo u bënë vetëm komente pozitive dhe stimuloi psikologjikisht e mobilizoi për punë, mësuesit e fizkulturës.
Tirana do të bëhet me stadium të ri, pasi po prishet “Qemal Stafa”. Por ka njerëz që e donin këtë stadium monument kulture dhe përkrahën ndërtimin e një tjetri në periferi. Si e gjykoni këtë zgjedhje?
Ndërtimi i infrastrukturës sportive, përbën një detyrë prioritare, për çdo shtet dhe sot është bërë pjesë e Programit Qeveritar, e si rrjedhojë janë realizuar projekte konkrete, që nuk janë ofruar gjatë viteve 1990-2013, në Shqipëri. Uembli, një stadium monument kulture në Angli, u përmbys e u rindërtua nga themelet dhe aktualisht është transformuar në një tjetër monument kulture. Përgjatë 24 viteve, ambientet e stadiumit “Qemal Stafa”, u përvetësuan nga privatë pa prestigj sportiv, të cilët nuk dhanë asnjë kontribut, për përmirësimin e infrastrukturës sportive të vetë stadiumit dhe nuk ka pasur asnjë prononcim për këto shkelje flagrante. Mendoj një impiant që ofron komoditet dhe mban një numër më të madh spektatorësh është në interesin kujtdo. Niveli i sportit, rritet e ka më shumë të ardhura që do t’i shërbejnë sportit.
Një nga objektivat që ministria i ka kushtuar më shumë vëmendje është që të luftojë obezitetin dhe t’i bëjë më aktive fëmijët duke aplikuar një program sfidues. Si është situata aktuale?
Ministria e Arsimit dhe Sportit hartoi Platformën shkencore të edukimit fizik, e cila u bazua në kontributin e mësuesve të edukimit fizik, me qëllim që të edukojë rininë shkollore me një stil të shëndetshëm jetese dhe me një kulturë humane, olimpike për të ardhmen e shoqërisë. Për këtë qëllim, u rrit në tre orë në javë zhvillimi i edukimit fizik në të gjitha shkollat e vendit, nga mosha 6-18 vjeç. Kjo është një risi si për ne, ashtu edhe për shumë shtete të zhvilluara europiane. U shtuan 720 mësues të rinj fizkulture, të cilët u trajnuan teorikisht, praktikisht e më pas u testuan. Më pas nisëm me matjet shkencore dhe vlerësuam përbërjen trupore BMI, për herë të parë në vendin tonë, për gjithë nxënësit me moshë 6-18 vjeç. Rezultatet tregojnë për një progres fantastik në uljen e obezitetit në Shqipëri, nga 11,9% obezitet në fillimvitin 2014, tashmë obeziteti te rinia shkollore, zbriti në nivelin e 0,61%. Ky testim i përbërjes trupore për të gjithë nxënësit e Shqipërisë, qoftë nga përmasat e numrit të pjesëmarrjes, qoftë edhe në pakësimin e obezitetit të rinisë shkollore, është një risi edhe për shtetet euroatlantike. Mendoj se jemi të parët në Europë, që kemi arritur këtë nivel obeziteti.
Ç’do të thotë një rini joobeze për vendin tonë?
Kur të rinjtë janë të shëndetshëm, pakësohen dukshëm rreziqet nga sëmundjet e dëmshme të dekadës së ardhshme: sëmundjet kardiake, infarktet, hipertensioni, artritet, gurët në tëmth, diabeti, kanceri etj. Këto sëmundje përkthehen në dhimbje, vuajtje, të individëve dhe familjeve tona, e janë një kosto tepër e madhe në buxhetin shtetit. Jo vetëm kaq, por ne duam që përveçse të jenë të shëndetshëm, 500 mijë nxënësit e vendit të jenë më socialë dhe humanë. Për më tepër, tani nxënësit po testohen dhe federatat sportive kanë mundësi të zgjedhin talentet e mundshme nëpër shkollat e vendit tonë.
