Ambasadori amerikan, Donald Lu, pasi u ka bërë thirrje vazhdimisht deputetëve të Kuvendit që të votojnë në mënyrë individuale Reformën në Drejtësi, ka nisur takimet me disa prej tyre. Dje gjatë mesditës, diplomati i SHBA-ve është takuar në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë me deputetin demokrat, Astrit Patozi.
Burimet bëjnë me dije se takimi ka zgjatur për më shumë se 30 minuta dhe në fokus të tij ka qenë Reforma në Drejtësi. I kontaktuar nga “Panorama”, Patozi ka konfirmuar takimin dhe temën e bisedës që ishte Reforma në Drejtësi, por nuk ka preferuar që të bëje komente të tjera.
Takimi me ish-kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së duket se nuk do të jetë i vetmi deri në ditën e votimit të Reformës në Drejtësi në Parlament, më 21 korrik. Patozi ka qenë një nga zërat më të fortë të opozitës edhe në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së lidhur me Reformën në Drejtësi.
Madje, edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, të zhvilluar më 11 maj në selinë blu me praninë e ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin, deputeti demokrat kërkoi që reforma të kalojë, por ajo të shoqërohet edhe nga ndryshime që lidhen me sistemin zgjedhor.
“Unë mendoj se nuk mund të pretendojmë për drejtësi, në një kohë kur nuk ka drejtësi të votës dhe zhvillim të zgjedhjeve të lira. Reforma Zgjedhore, në gjykimin tim, është akoma më e rëndësishme se Reforma në Drejtësi, pasi ka në thelb elementin më të rëndësishëm në demokraci: vendimmarrjen e lirë. Ne kërkojmë rithemelimin e Republikës. Kërkojmë një Republikë të re. Ne jemi për një reformë të thellë sociale e politike. Kjo, e veçuar nga gjërat e tjera, nuk do të japë rezultat”, deklaroi Patozi gjatë asaj mbledhjeje.
Por që nga ajo kohë, Ambasada e SHBA-ve ka dalë me dy mesazhe publike, të cilat bëjnë me përgjegjësi për shtyrjen e Reformës në Drejtësi kreun e opozitës, Lulzim Basha. Në mënyrë të vazhdueshme, Basha ka deklaruar publikisht se ka garancinë se vota e Grupit të tij Parlamentar, por edhe të aleatëve të tij, do të jenë të unifikuara për Reformën në Drejtësi.
Një takim me format të ngjashëm me atë që zhvilloi mesditën e djeshme me Astrit Patozin, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, e realizoi pak kohë më parë edhe me deputetin tjetër demokrat, Eduard Selamin.
Takimi, i cili vinte pak ditë para se ambasadori i SHBA-ve të merrte pjesë në mbledhjen e Grupit demokrat, nuk u komentua nga asnjë prej protagonistëve.
Ish-kreu i PD-së, Eduard Selami, në mënyrë të vazhdueshme ka këshilluar kreun e opozitës Basha që të jetë i kujdesshëm në deklaratat dhe qëndrimet që mban me ndërkombëtarët, duke kërkuar shmangien e çdo lloj përplasjeje me aleatët e SHBA.
