Rikonstruktohen trotuarët e rrugës “Sami Frashëri” në Njësinë nr. 5

Dita

Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë për riparimin e trotuareve të rrugës “Sami Frashëri”, që lidh sheshin “Uillson” me Parkun e Liqenit, të cilat ishin kthyer në shqetësim serioz për banorët e zonës pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”. Po ashtu, qytetarët që e frekuentojnë Parkun e Liqenit për të vrapuar apo shëtitur, kanë tashmë në dispozicion një rrugë me trotuare tërësisht të reja. Investimi i kryer nga Bashkia e Tiranës, u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, deputeti i PS, Pandeli Majko, dhe drejtues të njësisë administrative numër 5.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi angazhimin e ndërmarrjeve të bashkisë për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve.

“Më vjen mirë që kemi zgjidhur një nga shqetësimet më të mëdha të komunitetit. Në aplikacionin “Tirana Ime” kjo rrugë ka qenë një nga rrugët më të denoncuara si problematike. Pas Rrugës së Kosovarëve, hapim dy arteriet kryesore që lidhin Tiranën me pjesën e Digës së Liqenit, e cila sot është bërë jashtëzonisht tërheqëse për shkak edhe të këndit të lojërave për fëmijë”, tha Veliaj.

Ai ftoi qytetarët që nën shembullin model të rrugës “Sami Frashëri”, të ndihmojnë ndërmarrjet e bashkisë për të liruar trotuaret ku bashkia të mund të investojë.

Kryebashkiaku i Tiranës theksoi se njësia 5 është shembull me pagesat e çdo takse apo detyrimi ndaj bashkisë dhe bashkia i është përgjigjur me të njëjtin angazhim çdo nevoje që ka kjo zonë për investime.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *