“Kush fiton sot, fiton Evropianin!”

redaktor

Ndeshja më epike e Kampionatit Evropian të Francës luhet sot. Gjermania dhe Italia do të zbresin në fushë për çerekfinalen e tretë të turneut, ku – siç pranohet nga pothuajse çdo tifoz – do të zbulohet kampioni i Evropës.

Teksa gjermanët nuk kanë fituar asnjëherë ndaj Italisë në ndeshjet e një turneu ndërkombëtar, edhe italianët do të kenë një arsye hakmarrjeje sot, pasi në miqësoren e fundit kampionët e botës fituan 4-1, duke poshtëruar nënkampionët e Evropës.

Lëv Në konferencën e djeshme për shtyp, trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv foli jo edhe gjatë për sfidën e sotme. Presioni ndihet te gjermanët, por ai fshehu çdo detaj të mundshëm. “Ne i njohim mirë italianët. Ata përmirësohen gjatë një turneu. Se italianët janë edhe sivjet mjaft të fortë, ne e kemi pritur që në fillim të Evropianit.

Ata sivjet nuk kanë cilësi vetëm në mbrojtje, por edhe në sulm. Natyrisht, ata gjithnjë dinë të mbrohen, kështu që duhet ta përgatisësh ndeshjen me gjithë skuadrën. Ne kemi parë disa gjëra, ku mund të përmirësohemi, kështu që besoj se jemi të vendosur mirë. Natyrisht, ne e dimë se ç’duhet të presim nga italianët dhe e dimë se ç’duan ata.

Ndeshjet deri tani kanë qenë shumë të mira. Lojtarët nga dita në ditë kanë qenë të përqendruar. Sidomos në ditët e fundit kanë ndodhur shumë gjëra”, – u shpreh Lëv, i cili pranoi se me shumë mundësi kush fiton sot ka shanse reale për fitimin e titullit kampion. “Sigurisht, fituesi i nesërm (sotëm) mund të shpallet kampion Evrope, por titulli është ende larg. Nuk do të jetë një piknik kundër Italisë, por duket qartë se njëri prej nesh do të jetë favoriti për të fituar titullin”, – shtoi ai.

Në fund, Lëv theksoi se nuk ka rëndësi nëse mesfushori Daniele de Rosi do të mungojë apo jo. “Mendoj se Italia dëshiron të na surprizojë. Sigurisht, De Rosi është një lojtar i mirë, por Italia gjithnjë gjen një zgjidhje të mirë”, – përfundoi tekniku kampion bote.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *