Për batakçinjtë që mendojnë veç rrjepjen

Dita

Unë kisha dëgjuar, por tani kam bindjen se kudo duan të na “rrjepin”. Isha në Durrës. M’u prish celulari. Vajta në një qendër servisi. Pa e parë më tha: – S’kam kohë tani, lëre dhe pas dy ditëve hajde ta marrësh. – Sa kushton?- i thashë. – Nuk e përcaktoj dot tani. Kur e pa që do të ikja, bëri sikur e pa e më “sqaroi”: Kur bateria bie nën tre volt… e kështu dhe ashtu, por theksoi: të kushton. Erdha në Tiranë e çova tek një i njohur. S’ka gjë më tha, e ka fajin karikuesi. Pagova 500 lekë. Gjithçka në rregull.

Një femre i ngeli makina në rrugë. Mori karroatrecin dhe e çoi në servis. Me ta parë i thanë: “Ka kambion automatike”. Ajo bën afërsisht sa kushton makina. Dhe kështu ishte vërtetë, por po të kishte vërtet atë. Pasi panë shqetësimin e vajzës, gjetën rrugën e “shpëtimit”: – Kemi ne një të përdorur, bën 500-600 euro, por punon shumë mire. S’kishte kaq lekë e u largua. E çoi diku tjetër. I ndërruan dy bobina e diçka tjetër. Pagoi 20.000 leke dhe makina ecën për mrekulli.

Pra, përdorin lloj-lloj marifetesh, vetëm për ta hedhur.

Një rast për të qeshur. Njëri kishte larë makinën në disa lavazhe. Një ditë iu shpua goma. Kur donte t’i vinte gomën rezervë, pa një të vjetër. Ja kishin ndërruar.

Raste të tilla ka sa të duash. Në defektet e televizorëve, në elektro-shtëpiaket, kudo që ka zanatçinj jo të ndershëm. E keqja është se, dhe kur i shkon prapë për të njëjtin defekt të thonë: Jo… radhën e parë s’kishte këtë, kishte këtë tjetrën, që unë ta rregullova. Tani ka këtë, e vënë dorën diku. E ku e di “i ziu” njeri se ç’kishte kohë më parë e ç’ka tani! Thonë se klienti është “mbret”. Kjo vetëm në Shqipëri nuk zbatohet. Ky është problem i kudo ndodhur tek ne. Fitimet e këtyre matrapazëve janë të mëdha. Atëherë si do zgjidhet ky problem?

Unë s’marr vesh nga këto punë, por diçka mund të bëhet. Ka inxhinierë të zot. Ka përvojë botërore. Fjala vjen, pse të mos krijohen qendra të specializuara për të përcaktuar defektet e makinave e me një dokument ta rregullojnë në servise sipas një çmimi të caktuar? Kjo do të ishte një nga rrugët e zgjidhjes, por ka dhe shumë rrugë të tjera.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *