Në ndeshjen ndaj Islandës Moussa Sissoko e bëri siç duhet detyrën e tij duke zëvendësuar në mënyrën më të mirë të mundshme të skualifikuarin N’Golo Kante. Mesfushori i Newcastle United po kalon një moment të mirë forme dhe është gati për të ndihmuar Francën të kualifikohet në finalen e Euro 2016. Edhe pse nuk është një titullar fiks në formacionin e gjelave, Sissoko ka mbështetjen e trajnerit Deschamps dhe mund të ketë minutat e tij edhe në sfidën gjysmëfinale ndaj Gjermanisë.
“Për mua nuk është e rëndësishme nëse luaj apo jo. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën në momentin që trajneri do të më thërrasë në aksion. Ne e dimë që ndaj Gjermanisë do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata janë kampionët në fuqi të Botës. Gjithsesi ne do të luajmë në shtëpinë tonë dhe përpara publikut fantastik që do të jetë i pranishëm në stadiumin Velodrome. Besoj se i kemi të gjitha armët për ti mposhtur gjermanët dhe për të kaluar në finalen e madhe të Europianit”.
Në Francë-Gjermani sipas Moussa Sissoko, nuk ka një skuadër favorite për të avancuar më tej. Në vijim të fjalës së tij, mesfushori e vuri theksin edhe te fakti që në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Islandës, Franca lëshoi disi në lojë.
“Duhet të tregohemi të vëmendshëm gjatë gjithë 90 minutëshit madje edhe në shtesë nëse do të jetë nevoja. Është normale që në minutat e fundit të realizohen më shumë gola gjatë një ndeshjeje futbolli sepse lojtarët janë të lodhur. Ndaj Islandës ne e nisëm shumë mirë ndeshjen dhe të njëjtën gjë do të përpiqemi të bëjmë edhe ndaj Gjermanisë, me ndryshimin që të ruhemi deri në fund për të mos pësuar gol. Nuk e kemi harruar humbjen që pësuam në cerekfinalet e Kupës së Botës ndaj tyre, dhe do të kërkojë në një farë mënyre të hakmerremi. Gjithsesi Gjermania është një skuadër shumë e fortë dhe unë mendoj se shanset për kualfikim janë 50 me 50″.
