Ramos nuk dorëzohet

anazapta

“Duam të fitojmë”, thotë mbrojtësi i Realit të Madridit në missionin që duket i pamundur kundër Dortmundit, sidomos pas ndeshjes gjysmëfinale ku u mposhtën 4-1

Arlinda Gjypi

S’ka justifikime: Serxho Ramos e di mirë se Reali i Madridit është “poshtëruar” nga Dortmundi javën e kaluar, por gjithsesi nuk pranon të dorëzohet.

Pas humbjes së hidhur 4-1 në gjysmëfinalen e parë, është pak e mundur që “hyjnorët” të mund të arrijnë finale që u mungon prej 11 vjetësh, kohë kur kanë fituar për herë të fundit turneun. Ramos ka qenë në “Santiago Bernabeu” në shumicën e këtyre viteve dhe ka një dëshirë të ethshme për t’i dhënë fund kësaj pritjeje sfilitëse.

“Nuk ka motivim më të madh sesa të luash në finale e Ligës së Kampionëve, – thotë Ramos, fitues i një Kupe të Botës dhe i dy Kampionateve Evropiane me Spanjën. – Jam këtu prej tetë vjetësh dhe nuk kam luajtur asnjëherë në të. Nuk ka asgjë më të bukur, ndaj duhet të kemi besim se do ta ndryshojmë rezultatin”.

Pavarësisht optimizmit, parashikimet janë në disfavor të Realit, që do të provojë të evitojë eliminimin e tretë radhazi në këtë turne. Skuadra e Jyrgen Klopit, që arriti të kalonte shumë mirë ndeshjen e parë dhe ka vijuar që të ketë një lojë të bukur në këtë sezon, është ende e pamposhtuar në Evropë.

“Duam një fitore, – shton Ramos. – Kemi kujtime të këqija nga loja në fushën kundërshtare dhe duam që të fitojmë. E dimë që tifozët tanë do të na mbështesin që nga minuta e parë, por nuk do të na shërbejë për asgjë, nëse nuk përqendrohemi. E dimë se ç’duhet të bëjmë dhe çfarë ndodhi në Dortmund, si dhe se sa e fortë është Borusia”.

“Kualifikimi do të jetë edhe më i vështirë nëse ata arrijnë të shënojnë. Për ne do të jetë një ndeshje e ndërlikuar, por dihet që për të arritur në finale duhet të mposhtësh skuadrat më të mira. Rezultati në Dortmund ishte i drejtë dhe nuk ka asgjë për të thënë lidhur me humbjen e javës së kaluar. Duhet thjesht që të japim më të mirën”.

Ndeshja e kthimit Real-Dortmund luhet nesër në mbrëmje në 20:45.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *