Rreth 4500 emigrantë janë shpëtuar dje nga anijet e gomës dhe të drurit në Kanalin e Sicilise, ka njoftuar roja bregdetare italiane.
Tashmë në Itali kanë arritur 67 mijë emigrantë nëpër det këtë vit, shumica e tyre nga Libia, ka thënë Organizata Ndërkombëtare për Emigracion.
Këto ardhje janë pak më të vogla se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por numri i vdekjeve në këtë rrugë të rrezikshme është rritur.
Dhjetë gra janë gjetur të vdekura në një anije gome javën e kaluar.
Prej vitit 2014, kanë humbur jetën më se 10 mijë emigrantë, përfshirë 2,800 deri tash këtë vit, pat njoftuar Organizata e Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar.
